Fier, përplaset me furgonin, plagoset rëndë 23 vjeçari
/>Një 23 vjeçar që shkonte në punë me motoçikletën e tij është aksidentuar rëndë mëngjesin e djeshëm nga përplasja me një furgon, i cili transportonte lekët e një prej filialeve të bankave private operuese në Fier. Aksidenti ka ndodhur në rrugën Fier- Ballsh, tre kilometra larg qendrës së qytetit, në afërsi të vendit të quajtur Kthesa e Portëzës.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se 23- vjeçari, Aurel Elezi ishte duke udhëtuar me motoçikletën e tij pa targa për në drejtim të punës, një pikë servisi automjetesh. Rreth orës 07:00, 23- vjeçari Aurel Elezi ka dalë nga rrugica e fshatit Portëz ku jeton prej disa vitesh dhe ka tentuar të hyjë në rrugën kombëtare Fier-Ballsh. Duke mos qenë i vëmendshëm për të parë rrugën në të dy drejtimet, motoçikleta që drejtonte 23- vjeçari, ka tentuar të hyjë në aks kombëtar, por është përplasur fort nga një furgon i markës Ford me targa FR 1581 D që ecte me shpejtësi e që drejtohej nga Luan Saliaj. Si pasojë e përplasjes, motoçikleta është hedhur në një lartësi prej afro 10 metrash, ndërkohë që drejtuesi i saj, Aurel Elezi është plagosur mjaft rëndë. Plagët e 23- vjeçarit kanë qenë të mëdha dhe hemorragjia e gjakut e shkaktuar nga plagët ka përfshirë një sipërfaqe të asfaltit. Drejtuesi i furgonit, Luan Saliaj menjëherë ka ndaluar mjetin dhe ka shkuar t'i japë ndihmën e parë të aksidentuarit. Mësohet se Luan Saliaj, një ish- efektiv i Policisë Rrugore në Komisariatin e Fierit ka marrë me automjete të rastit të plagosurin 23- vjeçar dhe e ka çuar atë në Spitalin e Fierit. Policia e qarkullimit, pasi është njoftuar për aksidentin ka gjetur furgonin që drejtonte Luan Saliaj të parkuar në rrugë, ndërkohë që motoçikleta kishte bllokuar qarkullimin. Policia ka ndaluar 45- vjeçarin Luan Saliaj, në mjediset e spitalit të Fierit, ku ai priste për përmirësim të shëndetit të të aksidentuarit.