Vlorë, depresioni çon në vetëvarje 53 vjeçarin e divorcuar
/>Një 53- vjeçar nga qyteti i Vlorës është vetëvarur mëngjesin e djeshëm në oborrin e shtëpisë së tij, në Lagjen Vrenez. Akti i vetëflijimit ka qenë fundi i ditëve të tij me depresion, pas një brenge për shkak se jetonte i divorcuar dhe vetëm me të atin e moshuar. Ferdinand Bedini, për tu dhënë fund vuajtjeve ka zgjedhur një litar dhe një pemë në oborrin e shtëpisë.
Edhe analiza e parë e policisë arrin në konkluzionin se 53- vjeçari është vetëvarur për shkak të depresionit. Ai ka lënë edhe një letër për aktin e kryer, por nga ana e grupit të hetimit nuk bëhet me dije përmbajtja e saj. Kanë qenë orët e para të ditës së djeshme kur është bërë i ditur veprimi i shtetasit Bedini. Ai është zbuluar prej familjarëve të vet, por kur gjithçka kishte mbaruar dhe çdo ndihmë që mund ti jepej atij, ka qenë e kotë. Sipas tyre, kohë më parë 53- vjeçari Bedini ishte ndarë nga e shoqja dhe jetonte vetëm me të atin e tij të moshuar. Kjo ngjarje nuk është kapërdirë lehtë prej tij, i cili çdo ditë e më shumë shfaqte shenja depresioni nervor. Këtyre vuajtjeve ai ka menduar tu japë fund me vetëvarje. Ai ka gjetur momentin kur në shtëpinë e tij përdhese nuk është gjendur asnjë njeri dhe ka marrë fillimisht një laps dhe një letër ku ka shkruar arsyet që e kanë çuar në këtë veprim final. Detaje nga letra nuk bëhen me dije nga grupi i hetimit, pjesëtarë të të cilit bëjnë me dije vetëm faktin se shkaku i vetëvarjes së shtetasit Bedini ka qenë depresioni. Më pas, ai ka marrë një litar dhe e ka bërë lakun e mbytjes në njërën pemë të oborrit. Askush nuk e ka parë atë gjatë veprimit që ka kryer. Orë më vonë ka qenë një i afërm i tij që ka ardhur në shtëpinë e Bedinit dhe e ka parë atë të varur në litar. Ai ka lajmëruar menjëherë të afërm të tjerë dhe më pas kanë qenë ata që kanë lajmëruar komisariatin e policisë. Kjo e fundit ka bërë të gjitha veprimet e duhura dhe ka marrë materiale të ndryshme në cilësinë e provës. Më pas trupi i pajetë i shtetasit 53- vjeçar Bedini është përcjellë për në morgun e qytetit.