E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 34-vjeçarit, plagosi mjeken se i refuzoi shoqërinë

TIRANË- Tenton të vrasë doktoreshën, se refuzoi të shoqërohej me të. Ngjarja që rrezikoi jetën e një mjekeje34-vjeçare, që punon në spitalin Ushtarak në Tiranë, ndodhi pasditen e së premtes në Unazën e Re. Moshatari i saj, Festim Kaxhaj, ka përfunduar në pranga, pasi akuzohet se ka plagosur me thikë mjeken. Efektivët e komisariatit të policisë nr.6, të cilët kanë në juridiksion vendin ku ndodhi ngjarja, pas sinjalizimit u vunë menjëherë në lëvizje. Burime zyrtare nga policia thanë se në orët e para të ditës së djeshme, Kaxhaj u kap në banesën e tij dhe u shoqërua në ambientet e komisariatit. Pasi u mor në pyetje, 34-vjeçarit iu komunikua masa e arrestit për veprën penale të “vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë”.
Ngjarja
Rreth dy javë më parë, Festim Kaxhaj nga Tirana kishte shtruar në spitalin ushtarak të afërmin e tij. Ai qëndronte gjatë në dhomën ku ndodhej pacienti. Mësohet se doktoresha e cila kujdesej për shëndetin e të afërmit të Kaxhajt, ishte mjekja që u plagos dy ditë më parë. Duket se Festim Kaxhaj i kishte ”vënë syrin” doktoreshës ndaj dhe nuk ka nguruar ta ftojë për kafe atë. Pasi janë njohur në spital, doktoresha nuk ka hezituar të pranojë ftesën për një kafe, pa e çuar nëpër mend se kjo do t’i vinte në rrezik jetën. Sipas deklaratës së saj dhënë në polici, ajo është shprehur se ftesën për të konsumuar një kafe e kishte pranuar në shenjë respekti. Por nuk është parë në të njëjtën mënyrë nga 34-vjeçari Kaxhaj. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ky i fundit e kishte ftuar edhe herë të tjera mjeken për kafe, por kur kjo e fundit ka refuzuar, ai nuk ka hezituar ta plagosë me thikë.
Denoncimi
Sipas deklaratës së saj në polici, mjekja e ka refuzuar Kaxhajn, gjë që duket se e ka irrituar këtë të fundit. Burime nga policia thanë se ai ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur në ije 34-vjeçaren dhe më pas e ka nxjerrë atë nga makina, ndërsa është larguar me shpejtësi. Doktoresha lajmëroi policinë, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes. Ajo denoncoi 34-vjeçarin Kaxhaj, i cili u shpall në kërkim, ndërsa më pas u transportua në spital për të marrë mjekimet e duhura. Rreth orës 5:00 të mëngjesit të djeshëm, efektivat e komisariatit të policisë nr.6, u angazhuan për të kryer arrestimin e 34-vjeçarit. Mësohet se ai u kap në banesën e tij, i zënë në befasi nga aksioni. Pasi u mor në pyetje nga policia, Festim Kaxhajt iu komunikua masa e arrestit për veprën penale të ”vrasjes me dashje e mbetur ne tentativë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›