Fier, pritet tjetër furtunë në polici

Në kuadër të këtij procesi, që pritet të shoqërohet me lëvizje të mëdha në policinë e qarkut, dy ditë më parë kreu i Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Shemsi Premçi, ka mbledhur krerët e komisariateve Fier, Lushnjë e Mallakastër si dhe të gjithë krerët e seksioneve të policisë për t’u deklaruar se “në zbatim të një urdhri, të nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, do të nisë procesi i vlerësimit të dosjes së çdo polici, qoftë ky i rolit bazë, të mesëm apo të lartë”.
Shprehimisht, Premçi mësohet të ketë thënë në këtë mbledhje se “do të shikohen dosjet e policëve për t’u larguar menjëherë nga radhët e saj të gjithë ata që nuk përmbushin kriteret dhe për t’u hapur rrugën efektivëve me dosje të pastra”.
Në një prononcim për gazetën “Shqip”, drejtori i Policisë së Fierit tha se afro 490 efektivët e policisë në shkallë drejtorie, efektivë të të gjitha gradave, do të plotësojnë një formular, që ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe pas plotësimit të formularit do të kryhet procesi i shikimit të dosjeve.
Ata që nuk përmbushin kriteret, do të largohen. Premçi ka thënë më tej, për “Shqip”, se është i vendosur për të denoncuar publikisht të gjitha rastet e policëve dhe oficerëve që kanë hyrë në radhët e policisë pa e merituar.
Sipas drejtorit mësohet se nuk do t’i shpëtojnë largimit nga policia edhe ata që kanë në dosje vërejtje, edhe pse mund të jenë me arsim të lartë.
Procesi i plotësimit së këtij formulari vlerësimi do të përfundojë javën e parë të nëntorit dhe pritet që menjëherë më pas të nisë “pastrimi” i radhëve të policisë.
Konfirmohet se kriteret, ku do të përqendrohet kontrolli i dosjeve është arsimi, trajnimi, vlerësimi në kurset kualifikuese, masat e vërejtjeve si dhe rezultatet në punë. Ajo që do të çmohet më shumë te një polic është figura pastër dhe arsimi.