E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, qendra e të moshurave në pallat përmbytet nga shirat e fundit

/>Pas problemeve të shumta që ka kaluar deri në hapjen e saj të premtuar që 3 vite më parë, qendra për të moshuarit e qytetit të Fierit tashmë është mbyllur për shkak të përmbytjes që ka pësuar nga shirat e ditëve të fundit. Qendra që shërben për të moshuarit e këtij qyteti të cilët kalojnë kohën gjatë ditës aty, u përurua vetëm një vit më parë. Fakti që kjo qendër ishte vendosur në katin e parë të një pallati bëri që të moshuarit ta kundërshtonin me forcë një gjë të tillë, duke protestuar me mosfrekuentimin e saj. Gjithsesi, të detyruar nga mungesa e mjediseve të tjera çlodhëse e argëtuese, një pjesë e të moshuarve u pajtuan me idenë e të qëndruarit aty. Por një tjetër problem u shfaq për ta, pikërisht pas përurimit të saj. Problemet administrative dhe drejtimi i një qendre të tillë bëri që të lindnin edhe konfliktet e para, duke shkaktuar gjithnjë e më shumë përçarjen mes të moshuarve, të cilët u ndanë në dy kampe. Odiseja ka vijuar deri në ditën e djeshme, kur qendra në fjalë është kyçur me çelës për shkak të përmbytjes totale nga shirat e ditëve të fundit. Në ambientet e brendshme të kësaj qendre është e pamundur të depërtosh, pasi uji ka mbuluar gjithë arredimin e pajisjet e vendosura. "Kemi kohë që presim që kjo qendër të funksionojë. Sapo përfundon një problem, hapet një tjetër. Sot derra është e mbyllur, pasi gjithçka brenda është përmbytur nga shpërthimi i ujërave. Kërkojmë që institucionet përkatëse të marrin masa për rivënien në funksion të saj, pasi në këto ditë të ftohta nuk mund të qëndrojmë pranë shatërvanit të qytetit, aty ku rrimë gjithmonë", shprehet i moshuari Hajri Shehu, i cili shton se kërkesat e tij tek përgjegjësit e bashkisë kanë qenë të shpeshta. Dera e blinduar, pajisjet dhe lojërat si bilardo, pingpong, apo dhoma e leximit, tashmë janë të përmbytura nga uji dhe gjithçka ka mbetur relike. Në hyrje të kësaj qendre ekziston vetëm pllaka përkujtimore, e cila u vendos në ditën e çeljes, dhe asgjë më shumë. E ndërsa të moshuarit kërkojnë hapjen e ambienteve të kësaj qendre, kreu i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj ka deklaruar se do të ndërhyhet në mënyrë urgjente që ky ambient të rehabilitohet sa më parë, për tu siguruar të moshuarve rehatinë e kërkuar. "Do të ndërhyhet me fonde specifike për të rregulluar gjithçka që mungon në këtë qendër. Ajo është mbyllur përkohësisht, pasi punonjësit e bashkisë po merren me pastrimin dhe rehabilitimin e ambienteve të brendshme, por ky nuk është problemi i vetëm. Duhet që pensionistët fierakë të vlerësojnë këtë angazhim të bashkisë duke e frekuentuar rregullisht qendrën, pasi gjithçka e ndërtuar brenda saj është në dispozicion të të moshuarve", deklaroi kreu i bashkisë, Zeqaj. E ndërsa aktualisht po punohet për ta rihapur këtë qendër, pensionistet janë të detyruar që në këto ditë të ftohta dimri të qëndrojnë sërish në qendër të qytetit, në stolat e paktë të lulishtes duke e kthyer shatërvanin e vetëm në një vend lojërash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›