E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, hipoteka jashtë funksionit, shkak prishja e sistemi kompjuterik

/>Prishja e sistemit të kompjuterizimit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme në qytetin e Vlorës ka sjellë këto ditë probleme të shumta në marrëdhëniet midis saj dhe qytetarëve, që presin për të marrë një dokument pronësie. Prishja është ndodhi mbase normale në situatën shqiptare kur energjia njëherë vjen dhe njëherë ikën dhe padyshim që lë pasoja edhe të tilla që në fund të fundit janë teknike, por shqetësimi i qytetarëve këto ditë kur janë prishur kompjuterat më shumë ka qenë se nuk i ka pritur njeri në sportelet e kësaj zyre. Mesa duket, prishja e sistemit të kompjuterit i ka bërë punonjësit e kësaj zyre të merren me diçka tjetër në punët e shumta që kanë, por ndërkohë nuk duhet qëndruar indiferent edhe ndaj kërkesave të qytetarëve që sidomos në qytetin dhe rrethinat e Vlorës janë të shumta. Vetëm ditën e djeshme, në ambientet pritëse të këtyre zyrave ishin mbi 30 qytetarë që kishin ardhur me shpresën e marrjes së dokumentit të pronësisë, por që nuk kanë mundur ta marrin dot. Disa prej tyre shprehen se u duhet dokumenti se kanë probleme pronësie me fqinjët, e disa të tjerë se u duhet të marrin ndonjë kredi por që nuk e realizojnë dot pa marrë më parë certifikatën e pronësisë. Ndërkohë që kishte edhe të tjerë qytetarë që nuk kishin fare punë me kompjuterat, por që nuk e kanë zgjidhur dot problemin e tyre sepse asnjë punonjës nuk ka dalë në sportelet pritëse për tu dhënë rrugëzgjidhje problemeve të tyre. Nga drejtues të kësaj zyre mësohet se defekti është teknik dhe për të janë lajmëruar eprorët e Tiranës, që ndërkohë kanë nisur një ekip teknikësh, të cilët priten të bëjnë rregullimin deri ditën e sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›