E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, avokatët akuza gjykatës

 

TIRANE - Seanca e djeshme e gjyqit të "Bandës së Durrësit" te Krimet e Rënda dështoi përsëri për shkak të mungesës së katër avokatëve. Edhe në gjyqin e djeshëm nuk kanë munguar replikat e ashpra mes avokatëve dhe gjykatës. Shtyrja e seancës ka sjellë edhe dështimin e radhës të kërkesës së Prokurorisë për pyetjen në sallën e gjyqit të bashkëpunëtorit dhe të penduarit të drejtësisë, Adriatik Coli. Në seancën e djeshme, e cila ishte e fundit për këtë vit, gjykata nuk pranoi për të disatën herë ndarjen e çështjes për të gjykuar veç e veç të pandehurit. Mbrojtësi ligjor i Selman Hetit, Sokol Azisi, përsëriti kërkesën për ndarje të dosjes. Në fjalën e tij drejtuar trupit gjykues, avokati i Hetit akuzoi Prokurorinë si shkaktare të zvarritjes së procesit gjyqësor në ngarkim të "Bandës së Durrësit". "Për shkak të vetë organit të akuzës, procesi nuk po vazhdon siç duhet. Zgjidhja është veçimi i çështjes", u shpreh ai. Avokati nuk saktësoi se për kë e kërkonte ndarjen, duke pohuar se "këtë gjë e lë në çmim të gjykatës". Ndërsa avokati mbrojtës i të pandehurit Indrit Taullai, Riza Icka, akuzoi trupin gjykues si shkaktar të vonesave në gjykimin e çështjes. Ai gjithashtu kërkoi ndarje të dosjes, për të mundësuar gjykimin normal të saj. "Atje ku ju intereson e ndatë çështjen", u shpreh ai drejt gjykatës. Në përfundim gjykata vendosi zëvendësimin e katër avokatëve që mungonin me avokatë të caktuar kryesisht prej saj.                        ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›