Krimet e Rënda,6 vjet e 4 muaj burg Zharkut
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda dha dje verdiktin përfundimtar për të pandehurin Mehmet Zharku të arrestuar nga operacionin "Morina" në maj të këtij viti. Në seancën e djeshme, pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Fran Prendi, shpalli Zharkun fajtor dhe dënoi atë me 6 vjet e 4 muaj heqje lirie dhe me 4 milionë lekë gjobë për akuzën e "trafikut të armëve dhe municioneve, kryer në formën e importimit dhe tregtimit". Mehmet Zharku u arrestua nga policia në 1 maj 2008 pranë "Farmacisë nr. 10" në kryeqytet, teksa kishte një arsenal të tërë armësh në automjetin e tij. Sipas kërkesës për gjykim të Prokurorisë, Zharku kryente tregti armësh me shtetas kosovarë kundrejt shumave të ndryshme. Sipas Prokurorisë, Zharku kryente tregti me shtetas kosovarë, duke i blerë atyre pistoleta të tipave të ndryshme në këmbim të granatahedhësve, predha kundërtank, granata dore e fishekë të ndryshëm. Në momentin e arrestimit policia i gjeti dhe sekuestroi atij 50 pistoleta mini-zastava, 24 copë pistoleta "Bereta", 1 granatahedhës, 6 predha kundërtank, 120 granata dore, 120 ndezës granatash dhe 150 copë fishekë të llojeve të ndryshme. ar.ba