E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarët, 21.5 vjet burg e 68 milionë gjobë

 

TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje të dënonte me 21.5 vjet burg dhe 6.8 milionë lekë të reja gjashtë të pandehurit e dosjes "Hipoteka". Vendimi u shpall nga një trup gjykues i kryesuar nga gjykatësi Petrit Çomo, i cili gjeti fajtorë dhe dënoi me 8 vjet burg dhe 3 milionë lekë 55-vjeçarin Veiz Senko, i cilësuar nga gjykata si sekser i grupit. Po kështu gjykata dënoi me 2 dy vjet dhe 510 mijë lekë të reja gjobë sekserin tjetër të këtij grupi Halil Hima, 47 vjeç. Për ish-oficerin e SHKB-së së policisë, Dali Hakorja, 52 vjeç, gjykata akordoi 4.5 vjet burg dhe 1.2 milionë lekë gjobë. Ndërsa për tre specialistët e Hipotekës, Artan Mehmeti, 41 vjeç; Agron Tafa, 42 vjeç dhe Enton Babameto, 33 vjeç, gjykata vendosi respektivisht 2 vjet burg e 1.2 milionë lekë gjobë; 3 vjet burg e 300 mijë lekë gjobë dhe 2 vjet burg e 600 mijë lekë gjobë. Seancën e parë të procesit, gjykata u pranoi të akuzuarve kërkesën për aplikimin e gjykimit të shkurtuar, duke bërë që dënimeve të mësipërme t'iu zbritet një e treta. Në vendimin e djeshëm gjykata i gjeti fajtorë të akuzuarit të jenë përfshirë në falsifikimin e dokumentacionit të regjistrimit të një sipërfaqeje trualli rreth 14 mijë metër katrorë në kryeqytet.      fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›