Fier, shirat rrezikojnë shembjen e varrezave
FIER - Reshjet e kohëve të fundit të rëna në Qarkun e Fierit kanë shtuar edhe më shumërrezikun e shembjes së varrezave publike në qytet. Ky problem është tepër i mprehtë në një pjesë të varrezës që ndodhet shumë afër rrugës nacionale Fier -Patos për vetë faktin se terreni është kodrinor dhe nuk ka pasur mbrojtje prej vitesh. Por shirat e rëna e kanë bërë më evident problemin e rrëshqitjes së tokës në varreza. Qindra banorë që kanë të afërmit e tyre në këtë pjesë të varrezës ndihen të shqetësuar.
Dëshmitë
“Kemi merak të madh. Kam ardhur nga Greqia për të parë të afërmit e mi dhe shikoj varrin e nënës gati në të shembur, pasi, siç shihet, erozioni i tokës mund të shkatojë dhimbje jo vetëm te familja ime, por edhe te qindra familja të tjera që kanë të afërmit këtu. Do të na dalin eshtrat e tëafërmve në sipërfaqe dhe ky është një turp i madh. Kërkojmë të ndërhyhet në mënyrë urgjente, - tha shtetësja Marjeta Koçi, nga lagjja “Kastriot” i Fierit.
Bashkia
Shumë varre rrezikojnë të shemben dhe këtë e pohojnë edhe drejtuesit e shërbimeve funerale në bashki. Madje, sipas kreut të Shërbimeve Funerale në Bashkinë e Fierit, Edmond Strati, për t’i paraprirë këtij fenomeni shqetësues bashkia e qytetit të Fierit ka miratuar një fond në vlerën e 6 milionë lekëve për mbrojtjen e varrezave publike të qytetit. Në projektin e hartuar nga Departamenti i Shërbimeve Publike përfshihet ndërtimi i mureve mbrojtëse, si dhe përmirësimi i infrastrukturës së brendshme të varrezave. Sipas drejtoreshës së Departamentit të Shërbimeve Publike në Bashki, Elida Qyrana, shirat e vazhdueshëm të këtyre ditëve kanë bërë që të ketë rrëshqitje dheu në territorin ku shtrihen varrezat publike. “Vetë pozicioni, përbërja dhe struktura e tokës e favorizon fenomenin e rrëshqitjes së dheut. Bashkia ka miratuar një fond për financimin e projektit të mbrojtjes së varrezave. Është në fazat e para ndërtimi i murit mbrojtës me gur e beton. Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, brenda territorit të varrezave është parashikuar edhe shtrimi dhe asfaltimi i rrugëve të brendshme”,- vijoi më tej Qyrana. Ndërkohë, sipas Qyranës, ky projekt parashikon që në varrezat publike të qytetit të Fierit të ndërtohen prita që do të ndalojnë rrëshqitjen e tokës.
Mbarojnë vendet
Por nuk është vetëm ky problemi që shqetëson bashkiakët fierakë. Ata ngrenë një tjetër shqetësim. Sipas drejtoreshës së Departamentit për Shërbimet Publike në Bashki, në varrezat ekzistuese nuk ka më vende të lira për varre të reja. Për këtë arsye, bashkia pritet të nisë një tjetër procedurë për shpronësimin e një sipërfaqeje shtesë prej 500 metrash katrorë, pranë varrezave ekzistuese. Fakti që disa herë bashkiakëve u është dashur tëndërhyjnë në kësi lloj shpronësimesh pasi ka pasur kundërshtime nga pronarët ekëtyre tokave. Ata kërkojnë çmime të larta dhe nuk bien dakord me bashkinë për çmimin e tyre. Ndërkohë, shefja e departamentit të shërbimeve në bashki, Elida Qyrana, përveçse qetëson qytetarët e trembur për rrëshqitjen e varrezave jep një tjetër alarm: sipas statistikave, ka vetëm për dy muaj vend për të vdekurit . “Ne po i paraprijmë problemit, pasi sipas përllogaritjeve të statistikave mortore në qytetin tonë, në varreza ka vende dhe për një periudhe dymujore”,- tha ndër të tjera Qyrana.