Var veten nëna e katër fëmijëve
SHKODËR - I ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur 65-vjeçarja Dake Prroni, banuese në fshatin Naraç të bashkisë së Vaut të Dejës në Shkodër. Gruaja ka jetuar në banesë vetëm me bashkëshortin e saj të moshuar dhe me probleme fizike, ndërsa katër fëmijët: tre djem dhe një vajzë i ka emigrantë në Angli dhe Greqi. Në mëngjesin e së hënës, ndërsa bashkëshorti ka dalë nga dhoma, 65-vjeçarja ka zbatuar planin që duket e kishte përgatitur. Me litar najloni që përdoret për ambalazhim thasësh ajo ka realizuar vetëvarjen, duke e lidhur litarin tek dera e dhomës së gjumit. Ka qenë bashkëshorti i saj që kur ka hyrë në dhomë pas rreth 20 minutash e ka gjetur të varur gruan. Ai ka lajmëruar fqinjët, duke qarë e bërtitur dhe me shenja ka kërkuar ndihmën e tyre. Dake Prroni është gjetur e pajetë dhe polica ka kryer veprimet përkatëse. Nga informacionet e grumbulluara mësohet se Dake Prroni kishte kohë që ishte shprehur se kishte shumë mall për katër fëmijët e saj që ndodheshin në emigracion dhe kishin kohë që nuk kishin ardhur. Madje, një ditë më parë ajo u ka thënë disa fqinjëve se ishte më mirë të vdiste. Polica ka gjetur dhe rrobat e vdekjes, të përgatitura më parë nga viktima. Kjo është vetëvrasja e 12-të që ka ndodhur në qarkun e Shkodrës gjatë vitit 2008, ku në tetë raste viktimat kanë qenë femra dhe në tetë raste është përdorur si mënyrë për t’i dhënë fund jetës vetëvarja.