Mashtroi një shtetas, pranga oficerit të policisë
VLORË – Vihet në pranga oficeri i Policisë Gjyqësore, Ardian Merkaj. Fleta e arrestit për 32-vjeçarin, punonjës në komisariatin e Vlorës, u pre mbrëmjen e kaluar, pas përfundimit të hetimeve nga ku u verifikua se ai kishte falsifikuar dhe vjedhur duke shpërdoruar detyrën një shumë prej 42 mijë lekësh të reja. Përballja mes akuzuesit, si dhe oficerit të policisë gjyqësore u bë pas një denoncimi të kryer, si dhe pas kërkimit nga shtetasi të dorëzimit të parave që ia kishte lënë Merkajt.
Ngjarja
Disa kohë më parë, shtetasi Sefer Mehmeti ka shkuar te një agjenci këmbimi parash për të thyer 350 euro. Pas marrjes së lekëve, ai ka tentuar që të largohet, por një person i është afruar dhe i ka thënë se ishte nga agjencia e këmbimit dhe se punonjësi atje i kishte kthyer 7 mijë lekë tepër, kështu që duhet t’ia jepte atij. Mehmeti i ka dhënë paratë dhe është larguar për në shtëpi, por kur ka mbërritur, ka parë që sasia e parave ishte mangët. Si rrjedhojë, ka shkuar sërish në agjencinë e këmbimit dhe i ka thënë punonjësit se duhet t’i jepte 7 mijë lekëshin që i kishte kthyer kolegut të tij. Në këtë kohë, punonjësi i ka bërë të ditur se asnjë koleg nuk ishte dërguar pas tij. Një gjë e tillë ka bërë që Mehmeti t’i drejtohet komisariatit të policisë së Vlorës, ku ka takuar Ardian Merkajn, i cili punonte në sektorin e parandalimit të krimeve. Në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore, 32-vjeçari i ka marrë Mehmetit denoncimin përkatës, duke arritur që të zbulojnë edhe hajdutin, pasi Seferi e kishte fiksuar si natyrë. Por më pas, oficeri i ka kërkuar shtetasit që t’i dorëzojë shumën e parave që kishte marrë nga agjencia, të cilat do t’i mbante në cilësinë e provës materiale. I bindur ndaj njeriut të ligjit, Mehmeti i ka dhënë paratë. Por pak kohë më pas është kthyer që t’i kërkojë ato, ndërkohë që punonjës të policisë i janë shprehur se paratë i janë kthyer kohë më parë nga oficeri Merkaj, gjë për të cilën zotëronin edhe një procesverbal. Kjo ka bërë që Merkaj t’i drejtohet prokurorisë.
Arrestimi
Në nisjen e hetimeve, përfaqësuesit e akuzës kanë zbuluar se firma e hedhur në dokumentin ku tregohej se Mehmeti i kishte marrë paratë e veta mbrapsht ishte false dhe rezulton që ajo të jetë nënshkruar nga oficeri në detyrë Ardian Merkaj. Një gjë e tillë ka bërë që për 32-vjeçarin të pritet fleta e arrestit dhe të ngrihet akuza e “vjedhjes nëpërmjet shpërdorimit të detyrës”.
Oficeri
Ndërkaq, nga burime të komisariatit të Vlorës bëhet e ditur se Ardian Merkaj ka punuar më parë në sektorin e antidrogës. Pas disa dyshimesh të ngritura për punën jo të mirë të tij, ai u kalua në sallën operative e më tej në sektorin e parandalimit të krimeve. Paratë e “fituara” nga firma false e hedhur, oficeri i kishte luajtur në kazino.