Drejtori i KESH-it, akuza këshillit bashkiak
SHKODËR - Anëtarë të këshillit bashkiak të Shkodrës janë debitorë ndaj KESH-it, pasi në kohë të ndryshme nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike. Deklarata është bërë nga drejtori rajonal i OSSH-së në Shkodër Nesti Kiri, gjatë mbledhjes së të hënës së këshillit bashkiak të qytetit të Shkodrës. Sipas Kirit, janë 16 anëtarë të këtij këshilli që janë debitorë ndaj KESH-it në vitet 2004- 2008. Sipas tij, janë katër këshilltarë bashkiakë të Shkodrës që janë debitorë ndaj KESH-it për vitet 2004-2008, tetë anëtarë janë debitorë për vitet 2004, 2005 dhe 2006, dy anëtarë janë debitorë për vitet 2004 dhe 2005 dhe dy anëtarë janë debitorë për vitin 2004. Nesti Kiri është shprehur se po u shkëputet energjia elektrike mjaft familjeve që janë debitore, disa prej të cilave dhe familje në nevojë dhe ky është një detyrim ligjor i yni, ndërsa ka drejtues institucioneh, anëtarë këshillash bashkiakë e komunalë, kryepleq apo buxhetorë që janë debitorë ndaj KESH-it. Këshilli Bashkiak i Shkodrës, në mbledhjen e muajit të kaluar kishte kërkuar interpelancë me drejtorin e KESH-it, Nesti Kiri, pasi sipas disa anëtarëve ka diferencime në furnizimin me energji elektrike të qytetit ku ka zona që kanë më shumë energji elektrike. Kjo ka bërë që sekretarja e këshillit bashkiak të Shkodrës, ta ftojë zyrtarisht Kirin në mbledhjen e djeshme. Por kanë qenë këshilltarët e pranishëm në mbledhje që nuk e kanë pranuar interpelancën me argumentin se ajo nuk ka qenë e përfshirë në rendin e ditës dhe nuk ishin të përgatitur. Kjo ka sjellë dhe reagimin e drejtorit të KESH-it, Kiri, i cili ka bërë publik faktin e të qenit debitorë 16 anëtarë të këtij këshilli bashkiak, ndonëse nuk ka përmendur emra konkretë. Gjithashtu ai ka deklaruar se ka dy vite që kërkon bashkëpunimin e institucioneve të pushtetit lokal për një investim në vendosjen e kabinave të reja elektrike në lagje të ndryshme, investim ky i cili mund të përfundojë brenda 2 javësh, por është mungesa e bashkëpunimit nga pushteti vendor që e pengon. Ai ka bërë publike dhe disa nga zonat më problematike të qytetit të Shkodrës, të cilat nuk shlyejnë faturat e energjisë elektrike siç janë zonat të cilat furnizohen nga kabinat në lagjen “Tepe”, tek ish-Artistikja, në lagjen “Mark Lula”, tek Tregu i Ri, të cilat nuk e kalojnë masën 24% të shlyerjes së faturave të energjisë elektrike.