E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilaçet, kontrolle vetëm në dogana

Komisioni i Shëndetësisë miraton në parim projektligjin e ndryshuar "Për barnat dhe shërbimin farmaceutik". Në një tjetër mbledhje, komisioni do të diskutojë ndryshimet e përgatitura nga stafi i ministres së re Anila Godo, nen për nen. Ndryshimet kryesore që janë risjellë dje në komision, për sa i takon "markatës" së farmaceutikës, janë liberalizimi i tregut dhe vendosja e kontrolleve në dogana. Risia e këtij projektligji është heqja e lejes së importit dhe njëkohësisht edhe e monopoleve të furnizimit me barna. Sipas ndryshimeve të propozuara dje në komision, inspektorët farmaceutikë, në rast se vërejnë kundërvajtje administrative, urdhërojnë pezullimin e veprimtarisë, si dhe heqjen e licencës. Inspektorët farmaceutikë bëjnë bllokimin dhe konfiskimin e barnave në rastet e shkeljeve që përcaktohen në këtë ligj. Nga ana tjetër, sipas ish-ministrit Leonard Solis, ky projektligj do të ndihmojë konsumatorin me uljen e çmimit të ilaçeve. Çdo subjekt do të ketë mundësi të importojë medikamente pa pasur nevojën e një leje importi, por barnat që ai do të importojë do të kontrollohen në doganë nga një specialist, i cili do të ketë në dispozicion edhe regjistrin kombëtar të barnave. Sipas projektligjit, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave përgatit dhe boton periodikisht çdo vit, regjistrin e barnave me çmimet përkatëse dhe emrin e importuesve të autorizuar nga kompanitë, si dhe bën përditësimin e tij çdo muaj. "Drejtuesi teknik i importuesit, eksportuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë është farmacisti, anëtar i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, me një përvojë pune mbi dy vjet në sektorin farmaceutik, i cili përgjigjet për të gjithë veprimtarinë teknike dhe profesionale që zhvillon subjekti në fjalë", thuhet në draft. Projektligji "Për barnat dhe shërbimin farmaceutik" është diskutuar disa herë në Komisionin e Shëndetësisë. Një tjetër pikë e projektligjit parashikon veprimet që duhet të ndërmarrë inspektori në rastet kur konfiskohen barnat. Barnat e konfiskuara që janë të përdorshme, me dokumentacion të rregullt, kalojnë në administrim të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërsa barnat e bllokuara dhe të konfiskuara, të cilat janë të papërdorshme, asgjësohen në prani të inspektorëve farmaceutikë me procesverbal të rregullt. Muaj më parë, kur në krye të Shëndetësisë ishte ministër Nard Ndoka, ligji u kundërshtua në mënyrë të veçantë nga farmacistët, të cilët jo vetëm që nuk ranë dakord, por kërkuan shqyrtim të detajuar të projektligjit, me pretendimin që vendi ynë të mos rrezikonte nga shpërndarja e produkteve jo cilësore.

Liberalizimi

Licencimi i farmacive në rrethe nga drejtoritë e shëndetit publik

Sipas projektligjit, i cili për specialistët liberalizon tregun dhe njëkohësisht krijon mundësi punësimi, ngarkon njëkohësisht me përgjegjësi të "reja" edhe drejtoritë e shëndetit publik në rrethe. "Drejtoria e Shëndetit Publik Rajonal është autoriteti që koordinon, drejton dhe kontrollon të gjithë shërbimin shëndetësor në nivel vendor. Zyra farmaceutike pranë DSHP-së drejtohet nga një farmacist", thuhet në projektligj.

Ndërsa, për sa i takon farmacistit dhe kualifikimit të tij, projektligji parashikon këto kushte që duhen plotësuar: Farmacisti është figurë profesionale e diplomuar në farmaci me një cikël unik të paktën pesëvjeçar; diplomë e integruar e nivelit të dytë. Njihen në të njëjtën masë diplomat e lëshuara nga Universiteti i Tiranës, dega Farmaci, sipas programit të mëparshëm të miratuar nga Ministria e Arsimit.

Licenca e subjektit

Tregtimi i barnave me shumicë, pa leje importi, por me rregulla

Veprimtaria e tregtisë me shumicë e barnave ushtrohet nga persona juridikë, vendas ose të huaj, të pajisur me licencë nga Ministria e Shëndetësisë. Për fillimin e veprimtarisë, subjekti i interesuar deklaron, në përgjegjësinë e vet, se përmbush të gjitha kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për këtë qëllim. Drejtoria e Shëndetit Publik Rajonal bën verifikimin e deklarimeve të dhëna nga subjekti brenda 20 ditëve pune. Nëse deri në përfundim të këtij afati, ky autoritet nuk shprehet, drejtoria farmaceutike pranë Ministrisë së Shëndetësisë mund t‘ia delegojë këtë kompetencë Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, e cila duhet të shprehet për 10 ditë. Pas marrjes së raportit të inspektimit të lëshuar nga DSHP-ja përgjegjëse, Ministria e Shëndetësisë ka kohë 10 ditë pune për të dhënë licencën. Licenca tërhiqet nga subjekti pranë zyrave të DSHP-së rajonale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›