E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, plagoset djali i biznesmenit

Djali i një biznesmeni të njohur në fushën e ndërtimeve në qytetin e Vlorës është qëlluar me dy plumba mbrëmjen vonë të së dielës. Burimet zyrtare të Policisë së Vlorës thanë se ishin njoftuar pak para mesnatës, se një i ri 24-vjeçar ishte paraqitur pranë spitalit rajonal të qytetit të Vlorës, me dy plumba në trup. Sipas mjekëve të spitalit të Vlorës, ka qenë ora 23:00 kur në spital ka mbërritur një 24-vjeçar i plagosur me dy plumba, një në këmbë dhe një tjetër në kraharor. 24-vjeçari, i cili quhet Olgert Mustafaj, është futur menjëherë në sallën e operacionit, ku është ndërhyrë për të kuruar plagët e marra. Sipas mjekëve, njëri prej plumbave i ka prekur dhe mushkërinë. Ndërkohë, policia bëri të ditur se personi që e transportoi 24-vjeçarin në spital me një makinë BMW X5, është larguar menjëherë që aty, pa u identifikuar. Forcat e policisë kanë mbërritur në spital disa minuta pasi i riu ishte futur në sallën e operacionit, nga njoftimi i bërë prej punonjësve të spitalit. Pas ndërhyrjes, Olgert Mustafaj është përmendur, por nuk ka pranuar të flasë me oficerët e policisë në lidhje me ngjarjen. Ndërkohë, nga hetimet paraprake është përcaktuar se ngjarja ka ndodhur në zonën e Ujit të Ftohtë, në afërsi të Shkollës së Marinës. Megjithatë, nuk është përcaktuar ende një vend i saktë për ngjarjen dhe policia nuk ka në dorë asnjë provë të këtij krimi. Policët e Komisariatit të Vlorës kanë shoqëruar gjatë natës disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Mes të shoqëruarve kanë qenë disa shokë të të plagosurit dhe persona të tjerë, të cilët janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje. Sipas burimeve zyrtare të policisë, autori i plagosjes është identifikuar, por emri i tij nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve. Ndërkohë nuk dihet ende shkaku i plagosjes së të riut, i cili, për shkak të plagës së marrë në kraharor mund të rrezikojë edhe jetën. Zyrtarisht, policia thotë se nuk ka dyshime për ndonjë lidhje mes biznesit të babait dhe plagosjes së djalit, por, nga ana tjetër, nuk jepet asnjë motiv.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›