Mbetet e bllokuar Kakomeja, policia qëndron neutrale
Dhjetëra banorë të fshatit Nivicë të Sarandës kanë mbajtur të bllokuar edhe dje rrugën që të çon për në gjirin e Kakomesë, duke mos lejuar mjetet e rënda të kompanisë "Riviera" të fillojnë punën për ndërtimin e fshatit turistik. Banorët e Nivicës bllokuan rrugën të mërkurën dhe qëndruan gjatë gjithë natës në Grykën e Prodanit, ndërsa përballë tyre qëndronin mjetet dhe përfaqësuesit e kompanisë "Riviera", e cila në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze "Club Mediterrane", ka marrë lejen për të ndërtuar një fshat turistik në gjirin e Kakomesë. Shumë punonjës policie ishin të pranishëm në vendin ku është bllokuar rruga që të mërkurën, por ata nuk kanë ndërhyrë për zhbllokimin e rrugës, sikundër nuk kanë ndërhyrë efektivët e policisë private që është pajtuar nga kompania shqiptare.