Bashkia ndalon hapjen e shesheve të reja për ndërtim
Një numër çekiçësh që thërrmojnë malin e Sarandës për të hapur sheshe të reja ndërtimi janë detyruar të heshtin. Ato janë bllokuar teksa punonin pa dokumentacionin e kërkuar në zonën Turizëm-Kanali i Çukës. Shkak është bërë kërkesa më e re e urbanistikës së Bashkisë së Sarandës pas tragjedisë së Gjirokastrës, për t‘i shtuar dokumentacionit të firmave ndërtuese edhe relacionin gjeologjik të truallit që përgatitet për ndërtim. Janë disa çekiçë që nuk janë lejuar të vazhdojnë punën pa këtë leje. Bllokimi është bërë gjatë një operacioni të policisë bashkiake, të nisur prej disa ditësh. Remzi Bani, shef i Policisë Bashkiake të Sarandës, tha se nuk janë lejuar të punojnë ato mjete të rënda që janë gjetur në gërmim të sipërfaqeve për troje ndërtimi, pasi nuk kanë paraqitur dokumentin e kërkuar mbi relacionin gjeologjik. Disa drejtues të këtyre mjeteve janë gjetur pa këtë dokument në hyrje të rrugës nr. 4, si dhe në rrugën nr. 5 dhe në zonën e Marinës, në afërsi të shkollës së ciklit të ulët.