Zhduket babai, djali adoleshent denoncon në polic
Një djalë vihet në kërkim të babait. I ati mungon prej më shumë se një jave në shtëpi dhe askush nuk di të thotë se ku ka përfunduar. Kjo situatë e rënduar familjare e ka detyruar djalin 16-vjeçar të denoncojë largimin e babait dhe të kërkojë ndihmë për gjetjen e tij. S.Cami është paraqitur mbrëmjen e vonë të ditës së mërkurë pranë Komisariatit të Policisë në Shijak, duke deklaruar se që më 12 nëntor, i ati Kujtim Cami, 40 vjeç, është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më. Familja Cami jeton në fshatin Hamallaj të Durrësit dhe me të marrë kallëzimin, Drejtoria e Policisë së Qarkut deklaron se u bë shpallja në kërkim për largim nga banesa e shtetasit Kujtim Cami dhe kanë nisur kërkimet dhe hetimet për zhdukjen e tij. Po hetohet nëse largimi i 40-vjeçarit nga shtëpia është i vetëdijshëm, apo pas këtij largimi fshihet ndonjë ngjarje kriminale. Ndërkaq një tjetër familje është vënë në kërkim të njeriut të saj. Elis Fusha, 14-vjeçari nga Durrësi, vazhdon të jetë i humbur dhe në kërkim nga familjarët dhe policia.