E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla "Migjeni", auditori i ri për studentët e Fakultetit të Drejtësisë

Shkolla "Migjeni" te rruga Fortuzi do të zëvendësojë auditoret e Fakultetit të Drejtësisë, pas ndërprerjes së mësimit nga ana e studentëve. Ministria e Arsimit më në fund vendosi që të reagojë për këtë problem, duke u shprehur se "Drejtoria Arsimore e Tiranës do të vërë në dispozicion të Universitetit të Tiranës për fakultetin përkatës, shkollën "Migjeni" te Rruga e Fortuzit, për aq kohë sa të kryhen të gjitha kërkesat që do të përcaktojë grupi i ekspertëve". Ministria e Arsimit ka njoftuar se ka kërkuar ngritjen e një grupi të ri ekspertësh në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Ky grup së bashku me përfaqësuesit e MASH-it dhe Universitetit të Tiranës do të angazhohen menjëherë për të saktësuar veprimet e nevojshme, që zhvillimi i mësimit në godinën e Fakultetit të Drejtësisë të jetë i garantuar. Godina e Fakultetit të Drejtësisë ka pësuar dëmtime serioze si çarje të themeleve dhe mureve në disa auditore të saj pas rikonstruksionit të bërë pak vite më parë. Studentët kanë ndërprerë mësimin duke kërkuar kushte sigurie për jetën e tyre, në auditore. Përfaqësuesit e MASH-it më tej garantuan se "problemi i pezullimit të mësimit në Fakultetin të Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës do të marrë një zgjidhje të shpejtë". Në një dalje publike përfaqësuesit zyrtarë të Arsimit u shprehën gjithashtu se në kuadrin e festimeve të Kongresit të Manastirit, me propozimin e ministrit të Arsimit, qeveria vendosi që dita 20 nëntor të përkujtohet si "Dita e Alfabetit". Po kështu, shkolla e re në Yzberisht do të emërtohet shkolla 9-vjeçare "Kongresi i Manastirit".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›