E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, shkrumbohet nga flakët mobilieria

 

FIER - Një zjarr i papritur ra dje në mëngjes në një magazinë të mbushur me materiale lëndë drusore për prodhimin e mobilieve. Flakët shkrumbuan gjithçka, ndërsa pronari i magazinës, Hasan Lika pohoi se dëmi i shkaktuar kap vlerën e rreth 280 mijë eurove. Ai hedh dyshime të forta se zjarri ishte i qëllimshëm për shkak të konkurrencës, fakt të cilin sipas tij e ka deponuar edhe në polici. Ngjarja ndodhi në një magazinë në komunën Qendër në Fier, vetëm pak metra larg linjës hekurudhore që ndan qytetin me këtë komunë. Pronari i mobilierisë, Hasan Lika pohoi se zjarri është pikasur rreth orës 09:00 të mëngjesit. “Kur dola nga shtëpia pashë tymin. U afrova dhe dola prapa shtëpisë. Pashë që kishte marrë zjarr e gjithë magazina dhe flakët po përhapeshin me shpejtësi të madhe. Ishte djegur pjesa dërrmuese e mallit që mbaja, e gjithë lënda drusore që punoja dhe bashkë me të edhe një pjesë e makinerive. Ishte një punë që jam munduar ta ndërtoj me vështirësi për vite me radhë dhe u zhduk brenda pak minutave”, u shpreh Lika duke pohuar se dëmi i shkaktuar kap shifrën e 280 mijë eurove.
Ai shprehu hapur dyshimet e tij për zjarrvënie të qëllimshme për shkak të konkurrencës. “Zjarri mund të jetë edhe i qëllimshëm. Kam bërë edhe deponimin përkatës në polici, ku kam shprehur hapur dyshimet e mia. Flakët kishin ardhur nga pjesa e pasme e magazinës, në murin ndarës. Dritarja ishte e hapur për ajrosje dhe nuk kishte asnjë mundësi që zjarri të vinte prej andej. As kabllo elektrik dhe as mjete të tjera që mund të shkaktonin flakën nuk ndodhen pranë vendit ku ra zjarr. Kam qenë shumë i rregullt në vendosjen e gjithçkaje dhe kjo më bën të dyshoj se zjarri mund të jetë vendosur me qëllim nga njerëz që shikojnë me smirë biznesin që kam ngritur me mund e djersë”, vijoi ai më tej, i shqetësuar nga humbja qindra milionëshe. Pronari i magazinës së djegur shprehu indinjatë edhe për zjarrfikëset, të cilët sipas tij nuk erdhën në kohë. Ai bëri të ditur se zjarrfikëset erdhën një orë pas sinjalizimit të dhënë. “Zjarrfikëset evituan mospërhapjen e flakëve në banesat që ndodheshin pranë magazinës, por për këtë të fundit nuk bënë asgjë”. Megjithë fatkeqësinë që u ka rënë, pronari i mobilierisë ngushëllohet që të paktën nuk u dogj njëra nga banesat e familjes së tij, e cila ishte ngjitur me murin e magazinës. Sipas burimeve të policisë, përjashtohet pista e shkëndijës elektrike si shkak i zjarrit.                                 m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›