Zhdukja e Remzi Hoxhës, 4 zyrtarë tërhiqen nga dëshmitë para gjykatës
TIRANE - Një efektiv i SHIK-ut ka dëshmuar dje në seancën gjyqësore të radhës në ngarkim të ish-Shikasve të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Oficeri ishte një ndër 5 dëshmitarët e thirrur dje nga pala e akuzës. Dëshmia e Beqir T., është dhënë në një seancë me dyer të mbyllura, e kërkuar nga ana e prokurorit kjo, për arsye sigurie të dëshmitarit. Burime të brendshme të gazetës “Panorama” pranë Gjykatës për Krimet e Rënda bënë të ditur se Beqir T., ka pohuar përpara trupit gjykues se më datë 12 tetor 1995 Arben Sefgjini ka mbërritur në Sarandë ku ka takuar drejtorin e SHIK të këtij rrethi. Sipas tij, në këtë takim Sefgjini ka kërkuar nga kreu i SHIK Sarandë t’i kërkonte një oficeri të zonës së Ksamilit të porosiste një drekë në lokalin në pronësi të Ziso Kristopullit. “Pasi mora këtë urdhër nga eprori im, shkova dhe prenotova një tavolinë në lokalin e Kristopullit. Arben Sefgjinin ia prezantova Kristopullit si një profesor fizike”, ka sqaruar ai përpara togave të zeza. Duke iu referuar dëshmisë së djeshme të shikasit konfirmohet takimi i Arben Sefgjinit më Ziso Kristopullin në Sarandë 9 ditë para rrëmbimit të këtij të fundit. Në një nga seancat e mëparshme të kësaj çështjeje Kristopulli ka dëshmuar se gjatë ditëve, që është mbajtur i rrëmbyer në katin e dytë të një baze të fshehtë të SHIK në Vain të Lezhës ka parë të njëjtin person që ka takuar në lokalin e tij 9 ditë para rrëmbimit. Sipas Kristopullit ky person, të cilin ai nuk e njihte, e ka qëlluar me grusht në fytyrë. Të pandehurit mungonin dje në sallën e gjyqit dhe janë përfaqësuar nga avokatët e tyre. Në seancën e djeshme janë pyetur rreth ngjarjes për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas më 21 tetor të vitit 1995 edhe 4 ish-funksionarë shtetërorë të asaj kohe. Përpara togave të zeza dëshmuan Gëzim Rojani, ish-përgjegjës i zyrës së ankesave dhe letrave në presidencë; Ilir Xheda, ndihmësinspektor krimesh në Komisariatin nr.3; Alban Omari, hetuesi policor i çështjes dhe Gjergji Jorgo, ish-shef i Komisariatit nr.3. Në deklaratat e tyre ata janë përpjekur të përgjigjen në emër të institucionit, apo postit që zotëronin gjatë kohës kur ka ndodhur rrëmbimi i biznesmenit Hoxha, duke shmangur dëshmitë vetjake. Gjatë dëshmive të tyre përsëritej shpesh herë togfjalëshi “Nuk e mbaj mend. Ky fakt mund të verifikohet nëse shikoni arkivin e institucionit”, apo “Çdo gjë që di është e dokumentuar në procesverbalin e çështjes”. Përgjithësisht ata treguan për procedurat e ndjekura nga organet, ku ata bënin pjesë në drejtim të hetimit të kësaj ngjarjeje. Arben Sefgjini, ish-drejtor i Shërbimit Informativ Tiranë, aktualisht me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Ministrinë e Financave; Ilir Kumbaro, ish-kryetar dege në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë; Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit të Drejtorisë së SHIK-ut, Tiranë dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë akuzohen për “rrëmbim me pasojë vdekjen” dhe “torturë”, akuza të konsumuara në bashkëpunim dhe nga tre herë prej secilit të pandehur, në ngarkim të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, Ziso Kristopullit dhe kosovarit Avdyl Loshaj. ar.ba