E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi, masakra e Cërrikut, 105 dëshmitarë

 

TIRANE - Prokuroria lexoi dje në Gjykatën për Krimet e Rënda kërkesën për gjykimin e personave të dyshuar si personat që shkaktuan “Masakrën e Cërrikut” në mars të vitit 1997. Ditën e djeshme prokurori i kësaj çështjeje, Anton Martini, mbështetur në materialet hetimore, bëri të ditur gjithë ngjarjen e ndodhur 11 vjet më parë, ku mbetën të vdekur 6 punonjës të Gardës së Republikës dhe u plagosën disa efektivë të Policisë së Shtetit. Prokurori tha se do paraqiten në gjyq si dëshmitarë të akuzës plot 105 persona. Nga ana tjetër, përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve pretenduan pafajësinë e klientëve të tyre. I ashpër në sallën e gjyqit ishte deklarimi i dhënë nga i pandehuri Llazar Bicja. Sipas tij, gjithçka që u lexua nga ana e palës së akuzës për të dhe për implikimin në ngjarjen për të cilën ai akuzohet është e pavërtetë dhe e manipuluar. “Sipas të gjitha rrethanave në të cilat unë jam ndodhur, del qartë se unë nuk kam qenë as dëshmitar e jo më i akuzuar për këtë ngjarje”, u shpreh Bicja. Duke e cilësuar arrestimin e tij si politik dhe të paracaktuar, ai tregoi edhe për njohjet me të akuzuarit e tjerë. “Arrestimi im është politik. Njohjet e mia me të pandehurit e tjerë janë vetëm për shkak të detyrës që unë kam pasur si kryetar i Partisë Socialistë në Cërrik. Arrestimi im është kryer vetëm për t’i dhënë sfond politik ngjarjes. Nuk ka sfond më të mirë sesa vënia në bankën e të akuzuarve të një ish-funksionari të majtë”, pohoi ai. Trupi gjykues vendosi dje se në seancën e ardhshme do të procedohet me pyetjen e të pandehurve. Sipas Prokurorisë të akuzuar për ngjarjen e 23 majit 1997 janë Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi.                              ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›