E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA i jep Shqipërisë pajisje kundër lëndëve nukleare

 

TIRANE - Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan dje Shqipërisë një numër pajisjesh me vlerë 400 mijë dollarësh, si pjesë e një programi për kontrollin e kufijve ndaj lëndëve radioaktive. Diplomatët amerikanë pohuan gjatë ceremonisë se, krahas pajisjeve, ekspertë nga SHBA-ja kanë trajnuar punonjësit e agjencive shqiptare të policisë dhe doganave për përdorimin sa më të saktë të pajisjeve të dhuruara. I ngarkuari me punë i SHBA-së në Tiranë, Stiven Kristina, deklaroi se bashkëpunimi rajonal kundër armëve të shkatërrimit në masë është në dobi të të gjithëve. SHBA kanë një marrëdhënie të shkëlqyer pune dhe bashkëpunimi me qeverinë shqiptare si në fusha të tjera, edhe në programin për kontrollin e eksporteve dhe kufijve. “Ky program vepron në Shqipëri prej 3 vjetësh, duke ndihmuar me trajnim dhe dhurim të pajisjeve, dhe qëllimi i këtyre është rritja e kapaciteteve ndaluese në kufijtë e Shqipërisë. Ndalimi i armëve të shkatërrimit në masë dhe mospërhapja e armëve bërthamore, janë dy çështje të rëndësishme”, tha diplomati Kristina. Sipas tij, Shqipëria nuk konsiderohet një vend burimi për hapjen e materialeve bërthamore, por ajo mund të jetë një rrugë për kalimin e këtyre produkteve. “Ndaj është në interesin e SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit që të ndihmojnë Shqipërinë dhe fqinjët e saj në forcimin e sigurisë në kufijtë e tyre. Çdo gjë që ndihmon në parandalimin dhe përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe armëve bërthamore, është diçka që na ndihmon të gjithëve”, tha diplomati amerikan. Në ceremoni ishin të pranishëm zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Kufirin, Pëllumb Nako dhe drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi.            t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›