Gjykatat administrative, KLD në dilemë
Fatos Mahmutaj
Këshilli i Lartë i Drejtësisë merr sot vendimin për qëndrimin që do të mbajë në parlament lidhur me projektin e Ministrisë së Drejtësisë për Gjykatën Administrative. Kësaj here radha është për draftin "Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative", për të cilin Këshillit i është kërkuar paraqitja e komenteve dhe sugjerimeve mbi të. Takimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë pritet të zhvillohet paraditen e sotme, ku anëtarët do të diskutojnë problemet e këtij projektligji, në bazë së të cilit do të ngrihen strukturat e gjykatave administrative. Burime të KLD-së pohojnë se anëtarët e këtij institucioni janë njohur me materialet rreth dy javë më parë, ndërsa pritej që ky projektligj të diskutohej në mbledhjen e javës së kaluar, por që u bë e pamundur një gjë e tillë për shkak se kohën në dispozicion e mori diskutimi i draftit për administratën gjyqësore. Në fakt ky diskutim u shoqërua me debate të nxehta mes ministrit të Drejtësisë nga njëra anë, i cili u pozicionua si mrojtësi i projektligjit dhe anëtarëve të Këshillit dhe krerëve të gjykatave në vend, që u pozicionuan kundër. Paraprakisht anëtarë të KLD-së janë shprehur kundër draftit të propozuar nga Ministria e Drejtësisë me argumentet se nuk ekzistojnë kushtet për ngritjen e gjykatave administrative, ashtu siç është parashikuar në propozimin e ekzekutivit. Anëtarët e KLD-së kanë argumentuar se ngritja e një Gjykate Administrative me qendër në Tiranë dhe krijimi i nëndegëve të saj në qendrat e distrikteve të Apelit, momentalisht kufizonte dhënien e drejtësisë, pasi nuk zgjidhte problemin e shortit, mënyrën e ndarjes të çështjeve sipas shortit elektronik. E thënë ndryshe në draft nuk përcaktohet nëse shorti do të hidhet në qendër, në Tiranë, apo në secilën nëndegë. Po kështu nuk sqarohet mënyra e drejtimit të këtij institucioni dhe ngarkesa e togave të zeza. Për më tepër, nëse kjo gjykatë do funksionojë vetëm në kryeqytet dhe qytete të tjera të mëdha, atëherë një pjesë e qytetarëve do të kufizohen nga dhënia e drejtësisë për shkak të shpenzimeve të procesit që mund ta kalojnë shumën e pretenduar. Në fund të mbledhjes së sotme pritet që tre anëtarë të Këshillit të përpilojnë materialin përmbledhës së takimit dhe pasi ta nënshkruajnë të gjithë, të dërgohet në Komisionin për Çështje Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në Kuvend.