E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suedezët në Tiranë për Haklajt

 

Fatos Mahmutaj

Aishe Haklaj, vajza e madhe e Muharrem Haklajt dhe e vetmja nga fëmijët e tij që nuk ka probleme me drejtësinë, është pyetur dje në Prokurorinë e Përgjithshme si dëshmitare në çështjen e vëllait të vet Hamdi Haklaj, që pritet të gjykohet në Suedi. Pyetja e saj besohet se është bërë nga një atashe i Prokurorisë së Përgjithshme të Suedisë, i cili kishte udhëtuar për këtë qëllim në organin qendror të akuzës. Vetë Haklaj, e kontaktuar dje nga gazeta, pohoi se ishte marrë në pyetje si dëshmitare e mbrojtjes në procesin në ngarkim të të vëllait, ku kishte dhënë sqarime mbi pyetjet e drejtuara nga përfaqësuesi i Prokurorisë suedeze. Po kështu pohohet se janë marrë në pyetje edhe dy persona të tjerë, dëshmitarë të Prokurorisë, në lidhje me ngjarjen e 10 qershorit 2004, kur ai akuzohet të jetë atentatori ndaj disa anëtarëve të fisit Hoxha, me të cilët familja e tij ndodhet në hasmëri për vrasjen e vëllait të vogël, Ylli Haklaj. Rreth orës 09:45, në vendin e quajtur Qafa e Rumikut, pranë lagjes Hoxhaj të fshatit Kërnajë u vra Ram Hasan Hoxha, ndërkohë që u plagos rëndë me një plumb në kokë mbesa e tij, Fatmira Zenel Hoxha, e cila vdiq tri ditë më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Viktima 69 vjeç, së bashku me gruan dhe disa të afërm ishin nisur për ngushëllim në një vdekje që kishte ndodhur dy ditë më parë në lagjen Hoxhaj të fshatit Kërnajë, ku banonte edhe familja e Haklajve. Sipas Prokurorisë, personi që qëlloi mbi ta dhe që më pas është akuzuar 69-vjeçari Hamdi Haklaj, ishte veshur me uniformë ushtarake kamuflazhi dhe duket se ka pasur të vetmin qëllim, për të vrarë Ram Hoxhën që ka vdekur menjëherë nga plumbat e shumtë që ka marrë, ndërsa vajza u plagos aksidentalisht. Ndërkohë në vendngjarje veç dy viktimave pohohet të kenë qenë edhe Rexhep, Valmira, Servete, Zenel e Nafie Hoxha dhe Adem Sadiku. Dosja në ngarkim të Haklajve u transferua disa muaj më parë në Suedi, pasi ky shtet vendosi mosekstradimin e të pandehurit në Shqipëri. Haklaj, i cili u arrestua më 12 mars 2007 në Goteborg të Suedisë, arriti të bindte gjykatën e këtij vendi se ndaj tij në Tiranë po zhvillohej një proces i iniciuar nga politika. Ndërkohë burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme të pyetura dje pas paraqitjes se Aishe Haklajt në këtë institucion, nuk mohuan marrjen e saj në pyetje, por thanë se pranë këtij institucioni nuk është paraqitur asnjë prokuror apo hetues suedez për të marrë në pyetje persona të caktuar lidhur me dosjen e Hamdi Haklajt apo personave të afërt të tij. Sipas zyrtarëve të akuzës qendrore, në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk ka mbërritur as ndonjë kërkesë e palës suedeze për pyetjen e dëshmitarëve nga prokurorët shqiptarë për llogari të organeve të huaja të drejtësisë lidhur me çështjen “Haklaj”.

Hamdi Haklaj, si u refuzua ekstradimi

Pak muaj më parë drejtësia suedeze vendosi refuzimin e kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e Hamdi Haklajt në Tiranë, në mënyrë që të merret pjesë në procesin që po zhvillohej në ngarkim të tij. Lirimi i tij u bë pasi drejtësia e këtij vendi vlerësoi provat e mbrojtjes, në bazë të të cilave krijoi bindjen se në Tiranë po zhvillohej një proces politik në ngarkim të tij. Pas kësaj u vendos mosdërgimi me pranga në Shqipëri, ndërsa iu hap rrugë procedurave për zhvillimin e procesit në ngarkim të 69-vjeçarit në këtë shtet. Tashmë prej disa muajsh në Suedi ka mbërritur edhe dosja nga Tirana, dhe siç duket plotësimi i saj ka sjellë në Prokurorinë e Përgjithshme atasheun suedez të Prokurorisë, që ka marrë në pyetje tre dëshmitarë. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›