Policia dhe shiu “prishin” kanabisin e Lazaratit
GJIROKASTER/ Piro Nase
Parcelat me kanabis në pjesën malore sipër fshatit Lazarat, këtë vit nuk kanë shpërblyer dot kultivuesit e tyre.
Pamundësia për t’u furnizuar me ujë gjatë shtatorit, si pasojë e aksionit të policisë është shkaku kryesor. Më pas shiu e era e fortë shkaktoi dëmtimin në momentin kur duhej të korrej.
Një prej banorëve të zonës konfirmon këtë fakt, ndërsa flet për gazetën duke pranuar të tregojë vetëm inicialet. Z.V., 43 vjeç thotë se rrënjët e kanabisit kanë pësuar kalbëzim që në pjesët rrënjësore, pikërisht nga pakësimi i burimeve të ujit. Kultivuesi lazaratas pranon se moti i sivjetshëm ka qenë mjaft i mirë, por kjo nuk krijoi kushte të përshtatshme atmosferike për parcelat e mbjella me hashash në momentin e pjekjes finale të bimës narkotike. Dëmi i përllogaritur nga mungesa e ujit total në muajin e kaluar përllogaritet në 270 mijë euro, për një sipërfaqe të konsiderueshme. “Të paktën kjo është shifra më minimale e fitimit tim, nëse do të rezultonte i suksesshëm transportimi i sasisë së bimës narkotike drejt destinacioneve të caktuara. Kam blerë me lekë në dorë farën e bimës narkotike në muajin shkurt të këtij viti, në Vlorë. Shpenzova mbi 1 mijë euro, me shpresën për t’u bërë edhe unë i pasur si gjithë të tjerët, por që edhe ato të holla që kisha, më shkuan për dreq”, rrëfen 43-vjeçari lazaratas. Ai thotë se çmimi i 100 kubikëve shkon në 100 euro, ndërsa një kg kanabis i tharë këtë vit ka arritur në 600 euro. Sipas tij, të paktë kanë qenë ata persona, që kanë mundur të ujisin parcelat me drogë në periudhën kur policia e Gjirokastrës nisi aksionin bashkë me forcat speciale për transportin e boteve me ujë nga lumi Drino drejt Lazaratit. Policia ishte ajo që ndikoi negativisht në dështimin e sipërfaqeve të mbjella me hashash, pasi nuk lejoi depërtimin e sasive me ujë në fshat duke lënë ujin për përdorim vetëm shtëpiak. Banori thotë se nëse do të rezultonte e suksesshme tregtia e paligjshme e kanabisit, ai do të ndërtonte një hotel në pjesën hyrëse të Gjirokastrës ku do të punësonte 13 punonjës. “E kam ëndërr të jem pronar i një hoteli me tri yje dhe këtë ia kam vënë për qëllim vetes dhe them se do ta realizoj vitin që vjen”, shprehet Z.V. Sipas tij, shumica e kultivuesve në Lazarat kanë humbur nga rënia e papritur e shirave gjatë muajit shtator, çka u shoqërua me erë të fortë për t’u pasuar me temperatura të ulëta, duke dëmtuar pjekjen e bimës narkotike. Nga ana tjetër intervistuesi, i cili nuk do të identifikohet, shprehet se policia ka qenë një prej dëmtuesve kryesorë të sasive të mbjella narkotike këtë vit. Në Lazarat në një sezon mund të mbillen 26 mijë rrënjë kanabis sativa dhe kjo shifër me një mesatare të ulët, pasi sipas kultivuesit lazaratas, para tri-katër viteve, tregu i shitjes ka qenë i garantuar dhe pjesëmarrës në këto pazare kanë qenë edhe njerëz të veshur me uniformë polici. Askush gjatë dy viteve të fundit nuk u ka dhënë garanci nga policia kultivuesve të drogës për shitjen e hashashit dhe mosngacmimin e mjeteve transportuese të lëndës narkotike çka sipas tyre, është tregues i mungesës së një kompromisi mes palëve në ditët e sotme.
“Presim vitin tjetër se çdo të ndodhë dhe dashtë Zoti të kemi fat, pasi këtë vit Perëndia nuk na ndihmoi të bëheshim të pasur”, përfundon kultivuesi lazaratas.