Fier, s’ka filma për grafinë e mushkërive, ankohen qytetarët
FIER- Prej dy javësh, në spitalin e Fierit mungojnë filmat e grafisë për diagnostikimin e mushkërive.
Qytetarët e interesuar ankohen për mungesën e filmave polmonar, pasi ata nuk mund të marrin medikamente mjekësore, nëse më parë nuk kryejnë një grafi të tillë. “Kam ardhur katër herë këto dy javë për të bërë një grafi të mushkërive të djalit tim 6 vjeç dhe nuk kam gjetur kushtet e nevojshme. Më rekomandojnë të shkoj tek klinikat private, por nuk kam para. Edhe këtu paguaj faturë, por të paktën më pak”, shprehet një nënë e re, e cila ka ardhur nga fshati Vidhisht dhe endet spitaleve për të gjetur një zgjidhje. Gruaja shton më tej se është e detyruar ta bëjë një grafi të tillë, që t’i marrë më pas një mjekim të ri djalit të saj, i cili para pak muajsh kishte kaluar një turbekuloz, që i kishte prekur mushkëritë. “Këta më thonë të pres, por mua nuk më pret puna se djali është shumë rëndë. Kam frikë se i kthehet nga e para kjo sëmundje, nëse nuk merr mjekimin e duhur. Por për të marrë mjekim, duhet bërë më parë kjo grafi”, vijon sërish gruaja, e cila tashmë nuk di ku të ankohet. Ajo ka kërkuar edhe një takim me drejtues të spitalit, por ende nuk është realizuar. Personeli mjekësor që punon në aparaturat e grafisë pranë këtij spitali pranon situatën, duke pohuar se mungesa e këtij filmi fillon që nga depot grosiste prej nga furnizohet edhe farmacia e spitalit rajonal të Fierit. Madje ata thonë se ministria nuk ka çelur fonde për filmat polmonar. “Nuk ka dhe nuk kanë ndërmend të na sjellin në spital filma polmonarë. Por nuk është faji i spitalit, por i depove grosiste. Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka çelur fondet e domosdoshme për medikamente të shumta, jo vetëm për filmat polmonar”, deklarojnë mjekët e spitalit të Fierit, duke lënë të kuptohet se në këtë spital ka mungesa edhe të ilaçeve të tjera. Ndërkaq, përgjatë këtyre ditëve dhjetëra të sëmurë, të cilët kanë ardhur ose vijnë për të bërë grafinë e mushkërive, sipas rekomandimeve të mjekëve, largohen nga reparti i radiografisë pa u ekzaminuar. Ata ankohen se shëndeti i tyre sa vjen e rëndohet. Pacientët e shtruar në spital pohojnë se mjekët specialistë i rekomandojnë si zgjidhje të vetme klinikat private, të cilave padyshim nuk u mungon asnjë pajisje diagnostikuese. Por çmimi i tyre i kripur bën që shumë prej tyre si rezultat i ekonomisë së dobët, të largohen me shpresë se spitali i shtetit do t’u japë mundësinë të bëjnë grafitë e duhura. m.r