E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, teatri mes nevojës artistike dhe ‘krizës’ financiare

FIER- Prej afro një jave qyteti i Fierit është shndërruar në arenën e artit skenik. Teatri është shndërruar në kryefjalën e ditës jo vetëm për artistët, aktorët dhe regjisorët, por edhe për publikun artdashës fierak.

Trupa teatrale nga vendi, rajoni dhe Evropa janë mbledhur në Festivalin e 10-të Ndërkombëtar të Aktrimit ”Apollon 2011” për të demostruar dhe ndarë eksperiencat në arritjet e artit skenik dhe për t'i dhënë më shumë inspirim dhe gjallëri magjisë së skenës.

Sipas autorit dhe regjisorit të shfaqes ”Dikush duhet të vdesë” të trupës së Fierit, Pëllumb Kulla, një prej ikonave të fushës së artit dhe kulturës, mbajtja e këtij festivali në Fier nuk është rastësi.

“Ky është nga festivalet e pakta të mbijetuara në kushtet e një krize kulturore-ekonomike dhe vendi më i përshtatshëm, apo më i saktë që e meritonte këtë mbijetesë është pikërisht qyteti i Fierit, i dalluar prej shumë kohësh për një dashuri ndaj artit skenik”, - u shpreh , Kulla.

Kulla e pranon faktin e zbehjes së artit skenik gjatë viteve të fundit. Sipas tij, ndër shkaqet kryesore nuk është kriza e vlerave artistike, por faktori ekonomik. ”Në përgjithësi, gjendemi në një vështirësi ekonomike, e cila e bënë të pamundur që të ketë një përzgjedhje më të mirë. Përzgjedhje më të mirë dhe më të angazhuar do të kishte sikur të kishte para më shumë për të marrë trupa edhe më të largëta dhe me nivele më të larta, nga shtetet e tjera”, deklaron Kulla.

"Gjithësesi, trupat që morën pjesë në festival e ruajtën traditën, pavarësisht vështirësive ekonomike që kanë”, shton Kulla.
Kulla përshëndet përpjekjet e artistëve të rinj të cilët kanë prekur temat tabu, që e përgatisin publikun për të pranuar më mirë realitetet artistike, shpirtërore dhe jetësore.
(ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›