E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitja e tokës, bllokohen 24 fshatra



BERAT/ VLORE- Banorët e 12 fshatrave të komunës Vërtop, në Berat sot futen në ditën e shtatë të izolimit të tyre. Për shkak të rrëshqitjes masive të dherave, rruga që i lidh këto fshatra me qendrën është e bllokuar. Shembja e tokës ka shkaktuar edhe rrëzimin e shtyllave elektrike, duke i lënë ata në terr. Për pasojë, edhe furrat që i furnizonin me bukë janë jashtë funksionit, ndërsa problem mbetet edhe mungesa e ilaçeve. Në lidhje me situatën e krijuar, prefektura ka ngritur një grup për të koordinuar punën së bashku me shtabin e emergjencave civile pranë këtij institucioni. Prefekti Kostandin Lefto u shpreh dje se i ka kërkuar drejtuesve të qarkut që të gjitha makineritë e rënda që disponon ky qark të shkojnë për hapje të rrugëve të reja në këto zona. Për të furnizuar zonën me ushqime e ilaçe janë vënë në dispozicion mjaft kafshë pune. Një masiv dheu është shkëputur tre ditë më parë edhe në rrugën që të çon në qytezën e Selenicës në Vlorë. Në afërsi të vendit të quajtur “Bishti i Malit” dhe në kilometrin e katërt nga kjo qytezë aksi është i bllokuar. Kryetari i bashkisë së Selenicës Ilia Seferi u shpreh se prej tre ditësh nuk ka pasur asnjë interesim për hapjen e rrugës. Kjo rrugë lidh me Vlorën jo vetëm Selenicën, por edhe 12 fshatra të cilat tashmë janë të izoluara. Nga ana e bashkisë është kërkuar ndihma urgjente e Drejtorisë së Rrugëve, e cila duhet të bashkëpunojë për zgjidhjen e situatës. “Kjo ndërmarrje ka mjetet e duhura, por edhe është e specializuar, ndërkohë që ndërhyrja nga ana jonë po vijon duke u mbështetur te mjetet e marra me qira” u shprehën përfaqësues të bashkisë. d.xh/q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›