E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, tri protesta në një ditë

Festa e punëtorëve ka nisur në qytetin e Fierit me protesta. Rrogat e pamarra kanë qenë shkaku kryesor i hedhjes në protestë të dhjetëra punëtorëve. Mosrespektimi i kontratave të punës, si dhe shkelja e ligjit për trajtimin e punëtorëve të prekur nga reforma, kanë bërë që dita e 1 Majit të kalojë për herë të parë pas shumë vitesh në Fier nëpërmjet protestave. Në orën 09:00 të ditës së premte, më shumë se 40 punëtorë të autostradës Levan-Vlorë janë mbledhur përpara Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier dhe kanë protestuar duke kërkuar që të zyrtarizojnë kallëzimin e tyre te Zyra e Krimit Ekonomiko-Financiar. Kallëzimi është bërë ndaj firmës që kryen punimet në autostradën Levan-Vlorë. Pëllumb Tetemi, përfaqësues i punëtorëve protestues, ka thënë për gazetën "Shqip" se "i jemi drejtuar policisë për të protestuar, pasi as Prokuroria e Vlorës dhe as ajo e Fierit nuk na merr denoncimin që ne kryejmë". "Kemi me vete kontratat e punës. Kemi me vete faturat e pagave të marra, si dhe të gjithë dokumentacionin që kemi pasur në marrëdhëniet e punës me firmën që kryen punimet në autostradë. Shpresa e vetme për pagat tona është policia, e cila duhet të hetojë evazionin fiskal të regjistruar nga drejtuesit e firmës. Kam pesë rroga pa marrë dhe asnjë ditë siguracion të paguar", ka thënë Sako Blliku, një punëtor protestues. Të papaguar prej më shumë se 4 muajsh, janë afro 120 punëtorë që kanë punuar prej një viti në autostradën Levan-Vlorë. Protestuesit kanë thënë se pas protestës së tyre përpara policisë dhe pas denoncimit, nëse nuk u jepen pagat, do të hidhen në grevë urie. Shumat e pamarra nga një punëtor arrijnë nga 200000 lekë të reja, deri në 500000 lekë të reja.

Po dje, rreth 70 naftëtarë të prekur nga reforma e zbatuar gjatë vitit 2008 në kompaninë e naftës "Armo" kanë protestuar fillimisht përpara Prefekturës Fier dhe më pas kanë bllokuar bulevardin kryesor të qytetit. Shkak i protestës së ish-naftëtarëve të "Armo"-s ka qenë paga e tyre e pamarrë prej më shumë se dy muajsh. Në parullat që mbanin në dorë ish-naftëtarët protestues, shkruanin: "Zoti Ruli mos e bëni veten tuaj shurdh", "Zbatoni vendimet e qeverisë për trajtimin me asistencë të ish-naftëtarëve". Sipas Naim Manaj, njërit prej protestuesve, mësohet se kompania "Armo", që nga mesi i muajit shkurt nuk ka paguar asnjë nga 600 punëtorët që kanë dalë në reformë. "Kemi më shumë se 2 muaj pa pagë. Në vendimet e qeverisë me nr.261 dhe nr.1529 thuhet shprehimisht që për tre vjet pas ditës së daljes në reformë, naftëtarët do të trajtohen me asistencë, e cila do të paguhet nga pronarët e kompanisë "Armo". Këta të fundit jo vetëm që nuk na kanë njohur shumë pika të këtij urdhri të qeverisë, por prej dy muajsh e gjysmë po na mbajnë edhe pagën, asistencën", ka thënë për "Shqip" Themi Qorri. Pas protestës afro 1-orëshe përpara prefekturës, grupi i naftëtarëve të prekur nga reforma në "Armo" ka ecur drejt qendrës së qytetit, duke bllokuar kështu bulevardin ku kalonin automjetet. Policia e qarkullimit është përpjekur të ndalë marshin e ish-naftëtarëve, por nuk ka mundur. Protesta e tyre është shtrirë më pas në qendër të qytetit, ku punëtorët kanë qëndruar për afro 1 orë në shesh.

Ndërkohë që gjatë mbrëmjes së kaluar, aktivistë të Shoqatës së Integrimit Kombëtar kanë mbushur të gjitha rrugët e qytetit me parulla dhe flamuj. Ata janë mbledhur më pas në qendër të qytetit dhe kanë kërkuar rritje të nivelit të jetesës, dalje nga kriza financiare ku ka rënë vendi ynë, si dhe ulje të papunësisë. Këto organizime kanë qenë të vetmet që kanë treguar natyrën e ditës së 1 Majit, ndërkohë që me qindra qytetarë të tjerë, së bashku me familjet e tyre, kanë festuar nëpër lokalet e qytetit, pasi koha me shi i ka ndalur që të festojnë në piknik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›