E Diel, 1 Nëntor 2026

"Jo abuzimit bankar me rrogat e punëtorëve"

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve ka protestuar dje në mesditë përpara selisë së Kryeministrisë kundër asaj që e kanë cilësuar si "abuzim bankar me rrogat e punëtorëve". Në një letër drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, drejtuesi i ZMK-së, Altin Goxhaj, shkruan se "kemi konstatuar prej vitesh një situatë të rëndë abuzimi në dëm të qindra mijëra punonjësve në të gjithë Shqipërinë, të cilët e marrin pagën nëpërmjet sporteleve të bankave të nivelit të dytë apo të institucioneve të tjera financiare jobankare". Sipas tij, të gjithë punonjësit shqiptarë që marrin pagën në këto subjekte, asnjëherë nuk e marrin pagën e plotë sipas kontratës që kanë me punëdhënësit e tyre. Ata janë të detyruar që të paguajnë komisione bankare dhe tarifa për një shërbim për të cilin nuk kanë asnjë detyrim. "Në këtë mënyrë, të gjithë punonjësit e Shqipërisë humbasin çdo vit miliona euro nga rrogat e tyre, ndërkohë që punëdhënësit ua faturojnë këtë shërbim në mënyrë të paligjshme punonjësve të tyre, megjithëse çdo përgjegjësi është e tyre dhe e mënyrës se si ata kanë përzgjedhur dhe kanë kontraktuar bankat e nivelit të dytë apo institucionet e tjera financiare jobankare", thekson më tej ZMK në këtë letër- protestë. Në letër pohohet fakti se "prej vitesh ky sistem i dhënies së pagave i ka kushtuar xhepit të punonjësve të Shqipërisë dhjetëra miliona euro, para këto që u janë zbritur atyre nga rrogat në favor të institucioneve financiare bankare e jobankare dhe punëdhënësve". Për ZMK, shkak i kësaj situate janë punëdhënësit që përzgjedhin institucionet financiare që do të kryejnë shërbimin e dhënies së pagave për punonjësit e tyre në mënyrë të njëanshme dhe jo në marrëveshje të drejtpërdrejtë me ta, çka dëmton interesat e drejtpërdrejta financiare të punëmarrësve.

ZMK i ka propozuar Kryeministrit që brenda muajit maj 2009 të miratohet një VKM që të zgjidhë problemin e mbajtjes së komisionit dhe të çdo tarife tjetër nga pagat e punonjësve dhe Ministria e Financave të nisë punën për hartimin e legjislacionit përkatës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›