E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, "vejusha e zezë" sulmon një herë në tri ditë

Merimanga e zezë, ose siç njihet ndryshe "vejusha e zezë", ka shkaktuar plot 20 viktima në Qarkun e Fierit gjatë muajve qershor dhe korrik. Mjeku toksikolog i spitalit rajonal të Fierit, Kilo Stoja, deklaron për gazetën "Shqip" shifrën alarmante dhe thotë se situata është po aq e rëndë sa një vit më parë. "Ashtu si edhe verën e shkuar, kemi pasur raste të shumta të pacientëve të pickuar nga "vejusha e zezë". Zakonisht kjo merimangë del gjatë ditëve me temperatura të larta. Për periudhën qershor-korrik janë regjistruar 20 raste të pickimit nga merimanga e zezë. Duke u bazuar te numri i rasteve të këtij viti pohoj se nuk ka asnjë ndryshim nga viti i kaluar. Falë ndërhyrjes në kohë, shumë nga rastet e paraqitura në spital nuk kanë përfunduar me pasoja të rënda apo dhe me vdekje", deklaron për "Shqip" mjeku toksikolog. Ajo që dallon prej kartelave të mbajtura për çdo person të pickuar nga merimanga e zezë ka të bëjë me faktin se shumica e tyre vijnë nga rrethi i Mallakastrës. Edhe mjeku Stoja pohon se ndryshe nga vitet e kaluara, kur pacientët më të shumtë vinin nga rrethi i Fierit, këtë vit më shumë raste ka pasur nga Mallakastra. "Është Mallakastra ajo që është ‘pushtuar‘ këtë sezon veror nga merimanga e zezë. Fshatrat e Komunës së Fratarit kanë prurë drejt Fierit persona të shumtë që janë pickuar nga vejusha. Edhe Fieri ka shënuar raste, por jo sa një vit më parë. Nga 20 rastet e dy muajve, 13 kanë qenë nga Mallakastra, pikërisht nga Fratari. Ndërkohë që në Fier fshatrat që janë regjistruar të pickuar kanë qenë Frakulla dhe Cakrani", pohon mjeku specialist Kilo Stoja. "Vejusha e zezë" gjatë kësaj vere ka sulmuar mosha të ndryshe. Nga detajimi i kartelave të pacientëve konfirmohet se merimanga e zezë ka pickuar që nga fëmijë të moshës 10 vjeç deri te persona mbi 50 vjeç. Meshkujt kanë qenë më të sulmuarit e këtij viti nga "vejusha e zezë". Të gjithë pacientët vijnë nga familje të varfra dhe kanë treguar se janë pickuar nga "vejusha e zezë" duke punuar tokën, apo duke qëndruar në banesat e tyre të vjetra. Mjeku Kilo Stoja këshillon kryesisht fermerët se duhet të përdorin doreza dhe rroba të gjata gjatë kohës që punojnë në bujqësi. Ai bën thirrje për dezinfektim të sipërfaqeve të tokave dhe u thotë fermerëve që të shmangin rrobat me ngjyrë të kuqe dhe të ndezura kur punojnë në ara.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›