E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e naftës në rritje

Rigjallërimi i ekonomisë botërore mund të ngadalësohet edhe një herë si pasojë e rritjes së shpejtë të çmimit të naftës, bën të ditur Financial Times. Javën e shkuar, në bursën e Londrës, indeksi Brent shënoi kuotën e 76 dollarëve për fuçi, çmimi më i lartë i shënuar për këtë vit. Ekspertët ndërkombëtarë po paralajmërojnë qeveritë se, ndërsa ata merren me zbutjen e krizës financiare, kriza e mungesës së naftës dhe mallrave të tjerë bazë, e cila u harrua përkohësisht gjatë vitit të fundit, mbetet sërish krejtësisht e pazgjidhur.

Çmimi i naftës u rrit në 147 dollarë në fuçi vitin e kaluar, çmimi më i lartë i shënuar ndonjëherë, por u ul shpejt pas kësaj për shkak se filloi kriza botërore. Tani ekspertët druajnë se çmimi i naftës është zbutur vetëm përkohësisht dhe se ai do të rritet sapo ekonomia botërore të fillojë të gjallërohet. Qeveritë e vendeve të zhvilluara janë tashmë në dilemë, për shkak se rritja e çmimit të naftës mund t‘i detyrojë të rrisin normat bazë të interesit në ekonomi, gjë që nënkupton vijim të recesionit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›