E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja e Dajtit, "spiunia" e policisë

Një telefon për një "ushtar". Biseda realizohej kryesisht në gjuhën greke. Urdhrat ishin të prerë: mos flisni shqip. Frika e përgjimeve ekzistonte kudo. Pas një bisede, telefoni hidhej. Pas një urdhri për kryerjen e një "porosie" numri fshihej. Mesazhet telefonike duhej të fshiheshin patjetër. Prokuroria ka arritur të zbardhë mekanizmin e grupit kriminal që drejtohej nga Dajti. Ai ishte kapoja. Urdhrat i jepte vetëm ai. Dy "ushtarët" e tij të preferuar ishin kunati i tij, Ergys Xhaxho dhe Ledion Mara. Dy të fundit komunikonin me personat e tjerë për kryerjen e veprës penale. Por asnjëherë urdhrat nuk jepeshin drejtpërdrejt nga Dritan Dajti. Skema e krijimit dhe rekrutimit të "ushtarëve" ishte huazuar nga grupet mafioze italiane. Kapoja nuk njihej nga askush. Askush nuk duhej të merrte informacione rreth kapos. Atë e njihnin vetëm një numër i vogël njerëzish. Urdhrat jepeshin gojarisht dhe biseda nuk duhej të realizohej në gjuhën shqipe. Frika e vëzhgimeve dhe përgjimeve e ka "detyruar" Dritan Dajtin ta modifikojë grupin kriminal. Një mënyrë që nuk ishte adaptuar ndonjëherë në Shqipëri (përveç Aldo Bares që jetonte në Turqi dhe jepte urdhra për ushtarët e tij në Lushnjë).

Numrat e telefonit

Dritan Dajti, i shumëkërkuari nga drejtësia shqiptare, kishte në përdorim 10 telefona celularë që i janë gjetur në automjetin tip "Tuareg" ku ndodhi përplasja midis tij dhe policisë. Çdo celular kishte vetëm një numër tjetër të regjistruar. Sipas prokurorisë, Dajti nuk përdorte një telefon për dy urdhra. Ai komunikonte me disa prej bashkëpunëtorëve të tij me numra që i kishte marrë në rajon. Në 10 telefonat që i janë sekuestruar gjatë përplasjes me policinë, asnjë numër nuk ka qenë nga kompanitë celulare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Gjuha e tij e preferuar ka qenë greqisht, ndërsa kishte në përdorim numra malazezë, maqedonas, serbë e italianë. Kjo ka ngjallur dyshimin se grupi i Dajtit ka qenë ndërkombëtar, një rrjet i fuqishëm i trafikut dhe gjobëvënies në rajon. Ka dyshime të argumentuara se bashkëpunëtorët e Dajtit kishin ngritur baza të vogla kriminale në shtetet e mësipërme. Megjithatë këto indicie duket se do të shërbejnë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të filluar një hetim të gjerë rreth aktivitetit të 38-vjeçarit, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje dhe për arratisje nga Gjykata e Tiranës.

Verifikimi

Pas sekuestrimit të 10 aparateve të telefonisë celulare, grupi hetimor në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nisi këqyrjen e tyre. Nga të dhënat e para ka rezultuar se numrat që përdorte Dajti në këta telefona kanë qenë të paktë. Përkatësisht, çdo numër ka pasur vetëm një numër tjetër si pikë kontakti. Është zbuluar se të gjitha thirrjet e numrit i adresoheshin vetëm një personi. Krahas numrave që janë gjendur në celularë, hetuesit kanë zbuluar disa mesazhe në gjuhën greke, që Dajti përdorte me bashkëpunëtorët e tij. Kjo ka ngjallur dyshimin se mesazhet mund të jenë urdhra për kryerjen e veprave penale. Një fakt interesant për hetuesit ka qenë gjetja e disa numrave që dyshohet se u përkasin oficerëve të policisë në Shqipëri. Ka dyshime se Dajti kishte informatorë në strukturën e Policisë së Shtetit, nga ku mund të merrte të gjitha informacionet për operacionet e tyre. Dyshimet kanë rënë mbi disa oficerë të policisë që mbulojnë disa zona në Tiranë e Durrës. Megjithatë numrat në celularin e Dajtit mund të kenë qenë edhe thjesht për t‘i pasur. Prokuroria e Përgjithshme, që informohet për hetimet e ngjarjes së rëndë, thotë se do të verifikohet çdo informacion dhe nëse ka vepër penale, atëherë do të procedohen të gjithë personat që e kanë kryer atë vepër penale.

Arresti

Sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda, masa ndaj Xhaxhit dhe Dajtit

Masakra e Durrësit, prokuroria ngre akuzën

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese ndaj një polici gjatë detyrës, ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, vrasje kjo e kryer në bashkëpunim ndaj Dritan Dajtit, kunatit të tij Erges Xhaxhit, në bazë të nenit 79 të Kodit Penal. Ndërsa ndaj të arrestuarit Elvis Karolit, i cili u kap në Tiranë një ditë pas ngjarjes, është ngritur akuza e ndihmësit në bashkëpunim për vrasjen e katër oficerëve. Për të tre të arrestuarit do të shtohet edhe akuza e mbajtjes pa leje të armëve luftarake, si edhe të mjeteve policore.

Prokuroria e Krimeve të Rënda do t‘i drejtohet gjykatës sot paradite për të caktuar masën e sigurisë për tre të arrestuarit. Dritan Dajti, përveç kësaj mase, do të njihet edhe me tre dënimet e tjera që ka marrë gjatë periudhës që ka qenë në arrati.

Dënimi minimal për tre të akuzuarit në bazë të Kodit Penal është 20 vjet, ndërsa maksimali është burgim i përjetshëm. Sipas burimeve policore ka të tjerë persona që e kanë ndihmuar Dritan Dajtin në lëvizje gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, për të cilët pritet vetëm sigurimi i provës materiale për të kryer edhe arrestime të tjera. Dy të arrestuarit që ndodhen në qelitë e paraburgimit të 313-ës në Tiranë kanë dhënë hollësi në lidhje me ngjarjen se si ndodhi ajo, duke u përpjekur të mos marrin fajësi në krim, ndërsa vetë i akuzuari kryesor ka kundërshtuar t‘u përgjigjet pyetjeve të grupit hetimor. Ndërkohë që policia është duke kërkuar gjatë marrjes në pyetje të të arrestuarve të gjejë emra të tjerë bashkëpunëtorë të Dritan Dajtit. Ndërkohë që do të hetohet edhe në lidhje me mjetet policore që iu gjetën në automjetin "Volksvagen Tuareg".

Një ndër pikat kryesore me të cilën policia është duke u marrë aktualisht, mbetet se kush i ka dhënë ndihmë për kalimin e kufirit Dritan Dajtit, që rezulton se kishte ardhur nga një prej shteteve fqinje javët e fundit në Tiranë. Ndërkohë që policia shqiptare mohon zyrtarisht të ketë pasur dekonspirim gjatë aksionit për kapjen e Dritan Dajtit.

Prokuroria

Mjetet që iu sekuestruan Dajtit

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka sekuestruar Dritan Dajtit disa sende personale, si një çantë dore, tre pistoleta, 10 aparate telefoni, si dhe 4 mijë e 500 euro. Ndërkohë iu sekuestruan edhe tri karta të falsifikuara policie me emrin Agron Zeneli, të cilat Dajti i përdorte kur kishte përballë policinë. Sipas këtyre burimeve, përveç tri kartave të identitetit me uniformë policie dhe me numrat seri të saj, Dajtit i është sekuestruar edhe një patentë shoferi e shtetit italian me po këtë emër dhe me foton e tij. Policia ka sekuestruar brenda makinës edhe një fenelinë policie që e mbante në kroskot dhe dy radio lidhjeje të policisë që ishin të vendosura në frekuencat e efektivëve të Durrësit. Mësohet se frekuencat e radio lidhjeve i shumëkërkuari i ndërronte duke u bazuar në qytetin që ndodhej. Përveç këtyre, policia ka sekuestruar në çantën e dorës së Dajtit plot 10 aparate telefonike celularë me numra Shqipërie dhe vendeve fqinje. Ndërsa po këqyren dhe verifikohen numrat, mesazhet dhe thirrjet e kryera nga këto numra telefoni brenda dhe jashtë vendit. Në proces sekuestrimi është edhe banesa ku jetonte Dajti, megjithëse ka dyshime se banesa mund të jetë e marrë në përdorim.

Gruaja e Dajtit, "spiunia" e policisë

Efektivat e zbulimit gjetën fortesën e Dajtit duke ndjekur bashkëshorten. Shtatzënia, dyshime për një bashkëjetesë

Sokol Çobo

Me gjithë kujdesin e veçantë që t‘i shpëtonte çdo lloj operacioni për arrestimin e tij, Dritan Dajti është "tradhtuar" nga bashkëshortja, e cila kishte shkuar për ta vizituar në Durrës. Ka dyshime të forta se forcat e policisë gjurmonin gruan e të shumëkërkuarit, me qëllim që të mbërrinin te "preja". Dhe kështu rezultoi. Prej katër muajsh, efektivët e policisë kishin mësuar nga vëzhgimet në shtëpinë e Dajtit në Tiranë, se bashkëshortja e Dajtit ishte shtatzënë. U ngritën dyshime se çifti kishte filluar të frekuentohej, madje bashkëjetonte. Një grup vëzhgimi mori urdhër nga Drejtoria e Policisë së Shtetit që të merrte të gjitha informacionet rreth vendndodhjes së personit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Sipas informacioneve, ditën që ndodhi masakra e Durrësit, agjentët e policisë kanë vëzhguar në itinerarin Tiranë-Durrës bashkëshorten e tij, e cila fillimisht ka ndaluar në afërsi të pistës "Iliria" në Durrës. Agjentët e policisë kanë marrë kontakte me drejtuesit e Policisë së Shtetit se kishin zbuluar fortesën e Dajtit në Durrës, e cila ishte një papafingo në katin e gjashtë të një pallati, në afërsi të vendndodhjes së gruas. Sipas prokurorisë, gjatë zhvillimit të operacionit gruaja nuk ka qenë në automjet, por në një lokal aty pranë ku e priste. Gjurmimi i bashkëshortes së Dajtit realizohej prej katër muajsh dhe ditët e fundit çifti kishte menduar që të kalonin së bashku pushimet e verës, madje do të bashkëjetonin në "fortesë". Sipas hetuesve, shtatzënia e bashkëshortes së Dajtit ka "ndihmuar" oficerët e policisë të mendojnë se 38-vjeçari e takonte shpesh bashkëshorten dhe pas ndjekjes disamujore ajo i dërgoi te destinacioni, por rezultoi fatal për katër punonjës të policisë, të cilët gjetën vdekjen si pasojë e përplasjes me grupin e Dajtit.

Jeta në arrati

Dritan Dajti përgjatë viteve në arrati kishte ndërtuar një nga bandat më famëkeqe në Shqipëri, madje kishte gjetur edhe skemën e funksionimit të saj. Strehëzat nuk kanë qenë vende të fshehta, por apartamente dhe banesa në qendër të qyteteve Tiranë e Durrës. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbërthyer jetën e Dritan Dajtit, i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale në të kaluarën dhe tashmë do të përballet me ekzekutimin e katër punonjësve të policisë, e cila ishte mes luksit dhe parasë, nga ku drejtonte "ushtarët" e tij në të gjithë Shqipërinë. Hetuesit janë ndihmuar pikërisht nga bashkëshortja e tij, e cila gjatë katër muajve të fundit është parë shumë herë që të shkojë në qytetin e Durrësit. Krahas këtyre të dhënave, hetuesit dyshojnë se aktiviteti i grupit të Dajtit ka qenë i bazuar kryesisht te shuarja e konflikteve, ku "ndërmjetës" futej pikërisht i shumëkërkuari. Emri i frikshëm i tij ka arritur të arkëtojë qindra milionë lekë nga biznesmenë të ndryshëm, të cilët kundrejt sigurisë për ndërtimin e objekteve paguanin te kapoja një shumë të caktuar parash, ndërsa paratë investoheshin te jeta e luksit në apartamente dhe banesa luksoze në metropolin e Shqipërisë. Hetuesit më të mirë të prokurorisë po mbledhin të gjitha informacionet për aktivitetin kriminal të Dritan Dajtit, si edhe shokëve të tij, puna po përqendrohet kryesisht në shkatërrimin e kësaj bande, ku pjesëtarët po shoqërohen në polici e prokurori dhe po u ngrihen akuzat e ndihmës në ekzekutimin e katër punonjësve të policisë. Njëri prej "ushtarëve" është pikërisht Elvis Karoli, i arrestuar dy ditë më parë, për të cilin prokuroria tha se ka ngritur akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe ndihmës në kryerjen e një vepre penale. Skena e policisë është e qartë: të ketë pas qelive të gjithë "ushtarët" e Dritan Dajtit. Frika e ndonjë sulmi që mund të kryejnë pas arrestimit të kapos ka ngritur strukturat e policisë në këmbë, të cilat po mbledhin çdo provë që mund të fajësojë kreun e grupit. Pa dyshim që provat më të forta janë kryesisht dëshmitë e personave që kanë qenë në këtë grup dhe oficerët e policisë gjyqësore për tri ditë me radhë kanë shoqëruar në Tiranë e Durrës, ku shtrihej aktiviteti i tyre kriminal, dhjetëra persona, me shpresën se midis tyre do të gjejnë një informator të besueshëm, i aftë të tregojë të gjitha bëmat e kreut të grupit. Por hetimi i këtij aktiviteti do kohë dhe policia e prokuroria po mbështeten aktualisht tek ekzekutimi i katër punonjësve të policisë. Pas verifikimeve të të gjitha pistave, puna e grupit hetimor padyshim që do të përqendrohet te veprimtaria kriminale e grupit, ku ka dyshime të arsyetuara se ata merreshin me trafik droge.

Bashkëpunimi

Grupi hetimor në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka dyshime se lëvizja lirisht e Dritan Dajtit në qytetin bregdetar të Durrësit mund të realizohej vetëm me pëlqimin e disa grupeve të vogla kriminale të dyshuara në zonë. Sipas të dhënave, Dajti kishte një emër për t‘u pasur frikë nga kundërshtarët e tij dhe për këtë arsye ai e kishte gjithmonë rrugën hapur. Fuqizimi i gjendjes financiare të tij, ku thuhet se Dajti kishte hyrë në botën e ndërtimeve të pallateve, solli që ai të respektohej dhe të bashkëpunonte me këto grupe kriminale. Madje ai dyshohet se ka qenë palë me disa nga ish-drejtuesit e organizatave kriminale në qytetin e Durrësit. Me gjithë informacionet që disponojnë hetuesit, Dajti asnjëherë nuk i ka lejuar vetes që mund të vihet në befasi nga punonjësit e policisë, pasi kishte rreth e rrotull persona të besuar, të gatshëm të japin jetën për të. I ndihmuar edhe nga pajisjet e policisë që mbante gjithmonë me vete, 38-vjeçari arrinte të ishte gjithmonë një hap para policisë. Ka dyshime se Dajti kishte rekrutuar në organizatën kriminale disa oficerë të policisë në Policinë e Durrësit, të cilëve në këmbim të ryshfetit të majmë merrte të gjitha informacionet operative.

Precedenti

Lul Berisha

Lulzim Berisha u prangos në Shkup në një apartament, bashkë me të dashurën e tij nga Gramshi. Fiorentina Kotorri kishte kaluar kufirin drejt Maqedonisë 10 ditë para se të arrestohej i dashuri i saj. Ishte pikërisht ndjekja e saj ajo që i çoi tek i shumëkërkuari Lul Berisha

Ka të dhëna se filmimi është bërë nga një agjent që merrte pjesë në operacion

Prokuroria kërkon kasetën filmike të policisë

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon kasetën filmime, ki agjentët e policisë kanë filmuar operacionin. Struktura e policisë që vëzhgonte Dajtin prej disa muajsh gjatë operacioneve të të kërkuarve, filmonte të gjithë skenën e arrestit dhe dyshohet se një nga agjentët e ka filmuar këtë skenë që kishte një fund të përgjakshëm. Prokuroria ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Policisë së Shtetit për të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me mënyrën e urdhërimit të këtij operacioni, si edhe për ekzistencën e një filmimi të tillë. Deri dje pasdite ende nuk kishte mbërritur një përgjigje nga policia, megjithëse gjatë gjithë kohës grupi hetimor te Krimet e Rënda mban kontakte me zyrtarët e Policisë së Shtetit. Dje, gjatë gjithë ditës grupi hetimor i Krimeve të Rënda, i kryesuar nga zv/prokurori Henrik Ligori dhe dy prokurorët Ardian Nezha dhe Eugen Beçi, kanë zhvilluar një analizë të hollësishme të të gjitha provave të gjetura në vendngjarje, nga ku përgatitën edhe provat për masën e sigurisë që pritet të zhvillohet gjatë ditës së sotme.

Hetimet

Prokuroria: Enigma e personit të katërt

Bashkëpunëtori tjetër i Dritan Dajtit në masakrën e Durrësit ka arritur të shpëtojë, duke u futur mes pushuesve të plazhit, ndërsa shoku i tij i arrestuar është detyruar të tregojë lëvizjet në vendin e ngjarjes. Kur gjithçka ka shkuar drejt një beteje plumbash që merrte jetë njerëzish, i katërti ka mundur të zhduket duke lëvizur me një armë në dorë në krahun jugor të plazhit, andej nga është zona e pyllëzuar e bllokut të vilave qeveritare. Masakra dhe të gjitha informacionet dhe hamendjet e bëra që çuan drejt saj pohojnë praninë e dy grupimeve të forta brenda strukturave të larta të Policisë së Shtetit dhe vetë shtetit. Një grupim i lidhur ngushtë me krimin dhe një tjetër që synon ta godasë atë, duke dalë përtej trashëgimisë së një shteti të mbërthyer nga krimi i organizuar dhe ryshfeti i majmë që shet e blen pa pyetur për jetët që merr. Ndryshe nga dy ditë më parë, në zonën e krimit syri nuk të zinte asnjë punonjës policie. Të paktën jo nga ata me uniforma. Dy ditë pas ekzekutimit të 4 policëve, jeta duket se rrjedh në të njëjtin ritëm në plazhin e Durrësit. Shiritat që rrethonin vendin e krimit janë hequr, njerëzit lëvizin në dukje të qetë mes rërës dhe detit, ndërsa po të vëzhgosh dhe pyesësh më shumë kupton se nuk janë të pakta familjet e pushuesve që kanë mbledhur plaçkat dhe janë larguar, të frikësuar nga pasiguria dhe aksionet e rrezikshme policore. "Kur nuk janë të përgjegjshëm për veprimet që u marrin jetën e tyre, si mund të jenë për tonën?!" - pyet pa kërkuar përgjigje një pushuese nga Kosova. Shezlongjet përballë zonës ku ndodhi krimi nuk janë të mbushura plotësisht. Ngjarja e përgjakshme ka ndikuar. Njerëzit vazhdojnë të komentojnë masakrën dhe atë që ndodhi dy ditë më parë, ende të shokuar nga zhvillimet në një prej zonave më të frekuentuara të plazhit të madh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›