E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, vendorët socialistë, protesta përpara Kryeministrisë

Përfaqësuesit e bashkive dhe komunave të Qarkut të Fierit, që drejtohen nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, do të protestojnë sot përpara Kryeministrisë. Administratat e këtyre njësive vendore do të udhëtojnë drejt Tiranës, për t‘i kërkuar Kryeministrit të vendit dhe qeverisë që ai drejton të mos cenojnë autonominë e pushtetit vendor.

Lajmin e bënë të ditur për gazetën "Shqip" kryetari i Bashkisë së qytetit të Fierit, Baftjar Zeqaj, i cili ka pohuar se protesta e sotme, e cila ishte paralajmëruar dhe më parë, do të jetë thirrja e parë publike për ndryshimin e ligjit të autonomisë vendore.

"Bashkia e Fierit është një bashki e kategorisë së parë dhe me performancën më të lakmuar nga qeveria, si e tillë ajo rrezikon që për vitin e ardhshëm të mos realizojë një sërë projektesh, vetëm prej "etjes" së madhe të Kryeministrit të vendit", ka thënë për "Shqip" kryetari i bashkisë, Baftjar Zeqaj. Kreu i pushtetit vendor të Fierit ka shtuar se thirrjes së krerëve të bashkive dhe komunave në të gjithë vendin i është përgjigjur jo vetëm administrata që drejtohet nga përfaqësuesit e PS-së, por edhe administrata që përfaqësohet nga të djathtët. "Edhe ata ashtu si dhe ne rrezikojnë realizimin e projekteve nga cenimi i autonomisë. Duhet theksuar se bashkitë dhe komunat, të gjitha njësitë vendore në shkallë vendi, kërkojnë autonomi financiare, asgjë më shumë. Ne nuk jemi njerëz të emëruar nga Kryeministri, por na ka zgjedhur komuniteti që përfaqësojmë, e me këta të fundit kemi lidhur kontratë", ka vijuar më tej kryetari i bashkisë, Zeqaj.

Ndërkohë është konfirmuar se e gjithë administrata e Bashkisë së Fierit ka pranuar thirrjen për protestë, ndërkohë që asaj do t‘i bashkëngjitet edhe administrata e bashkive të Lushnjës, Roskovecit, një pjesë e Bashkisë së Patosit, komunat Qendër, Libofshë, Portëz etj. Konkretisht Bashkisë së Fierit cenimi i autonomisë së pushtetit financiar i kushton një shumë prej 30 milionë lekë dhe e përkthyer kjo në projekte, rrezikon që kjo bashki të mos realizojë mbylljen e unazës së qytetit, zgjerimin e urës hyrëse të tij, rehabilitimin e lumit Gjanicë, si dhe rikonstruksionin e disa rrugëve të brendshme të qytetit. Ndërkaq, një tjetër problem me të cilin po përballet Bashkia e Fierit është ndryshimi i ligjit për legalizimet. Të paktën 100 milionë lekë është deficiti i krijuar në buxhetin e Bashkisë Fier nga ndryshimi i ligjit për legalizimet. Ky fakt është pohuar nga nënkryetari i Bashkisë Fier, Jani Fuli, i cili ka deklaruar se ulja e arkëtimeve nga legalizimet do të ketë pasoja në realizimin e projekteve infrastrukturore. "Investimet e parashikuara vareshin më së shumti nga taksat që do të mblidheshin nga legalizimi i objekteve. Duke qenë se për këtë vit ishin planifikuar 1 mijë ndërtime për t‘u legalizuar, ishte menduar që një pjesë e mirë të realizimit të investimeve do të bazohej pikërisht në këto taksa. Por, ndryshimi i ligjit për legalizimet na e ka hequr të drejtën e mbledhjes së kësaj takse. Janë 100 milionë lekë humbje që i bëhen buxhetit të bashkisë pikërisht nga ky ndryshim skeme. Tashmë, nga 1% e shumës që do të paguhej për legalizimin e objektit, për zërin ndikimi në infrastrukturë kalon në 0.5%, ndërsa pagesa për parcelën ndërtimore që paguhej me lekë, të cilat i kalonin bashkisë, tashmë do të paguhet me letra me vlerë, pra që do të thotë se për bashkinë gjithçka mbetet zero në këtë drejtim", thotë nënkryetari i Bashkisë së Fierit, Jani Fuli. Përfundimisht Fuli ka pranuar publikisht që sot buxheti i një prej bashkive më të mëdha në vend ndihet i tronditur, çka pritet të reflektohet dukshëm edhe në investime. Më tej ai ka deklaruar se ende nuk është gjetur një rrugë, e cila do ta asimilojë këtë deficit. Ndërsa shprehet se kjo vaktësirë e buxhetit të fundvitit 2009 do të reflektohet patjetër edhe në mbledhjen apo cungimin e planifikimit të buxhetit të vitit që vjen.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›