Imami: Pakti i ujërave, do të respektojmë kushtetuesen
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deklaroi dje se për marrëveshjen e ndarjes së ujërave territoriale midis Shqipërisë dhe Greqisë do të respektohet plotësisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", Imami vlerësoi se për marrëveshjen mund të kishte pasur debat nëse opozita do të ishte në Parlament. Imami garantoi se nga kjo marrëveshje nuk ka të fituar dhe as të humbur dhe se Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë transparencën e duhur për këtë çështje. Marrëveshja e ndarjes së ujërave territoriale është përfshirë tanimë në programin e punës së Parlamentit për t‘u votuar brenda muajit dhjetor. Sakaq, Gjykata Kushtetuese ende nuk është shprehur në lidhje me shqyrtimin apo jo të ankimimit të Partisë Socialiste dhe një grupi partish të tjera që kërkojnë pezullimin e votimit deri në bërjen e transparencës së plotë. Dy ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, u takua në Pentagon me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gejts. Një ndër temat kryesore ishte kontributi i Shqipërisë në koalicionin ndërkombëtar në Afganistan. Zoti Imami është ministri i parë i Mbrojtjes i qeverisë së re "Berisha" që viziton Pentagonin dhe ky ishte një takim për të vlerësuar pjesëmarrjen e Shqipërisë me trupa dhe me nisma të tjera, si anëtare e NATO-s, në Afganistan. Aktualisht, Shqipëria ka dy kompani në Afganistan.