E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, tregtarët në protestë para bashkisë

 

Tregtarët kundër vendimit për zhvendosjen nga Tregu i Orizit në atë të Çoles: Nuk lëvizim

VLORË- Rreth 40 tregtarë që zhvillojnë aktivitetin e tyre në zonën e njohur si Tregu i Orizit kanë protestuar dje para Bashkisë së Vlorës, duke kundërshtuar vendimin për zhvendosjen e tyre. Ata i kanë bërë thirrje kreut të bashkisë të rishikojë vendimin për kalimin e tyre nga ky vend, në tregun e ri të Çoles, përfunduar së fundi nga bashkia. "Kjo është një zhvendosje e padrejtë dhe jo transparente, sepse bëhet vetëm për një pjesë të tregtarëve",- kanë apeluar ata, duke deklaruar se janë në këtë zonë që prej 17 vitesh dhe janë pagues të rregullt të taksave vendore. Protestuesit kanë ngritur pretendimet ndaj policisë bashkiake, që ka ardhur pa paralajmërim, duke i hequr forcërisht, në një kohë kur ata kanë kryer të gjitha pagesat, deri në fund të muajit dhe nuk kanë marrë asnjë njoftim për këtë. Tregtarët nuk pranojnë të shkojnë tek tregu i Çoles, pasi sipas tyre, atje nuk ka kushte të përshtatshme, por edhe sepse është shumë larg zonave ku ka klientë. "Ne nuk mund të shesim në pyllin e sodës, pasi aty nuk kalon njeri dhe jemi të ndëshkuar nga konkurrenca, të cilën po na e dikton bashkia",- thanë ata. Tregtarët janë shprehur njëzëri që në qoftë sepolicia bashkiake do të vijë t'i largojë me dhunë, ata do të vijojnë sërish me protestat para bashkisë. Ndërkohë, pyetur pas protestës, nënkryetari i bashkisë së Vlorës, Arqile Mishtaku, është shprehur se tregtarët që operojnë në tregun e orizit do të zhvendosen në atë të Çoles, për arsye se pengohet qarkullimi rrugor. "Në zonën ku janë është bllokuar trotuari ku mund të kalojnë kalimtarët",- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›