Fier, viti 2008 për fermerët: Viti më i vështirë ekonomik
>Viti 2008 është cilësuar si viti më i vështirë ekonomik nga fermerët e Fierit. Ky përkufizim është shprehur prej vetë atyre, pasi ata llogarisin në këtë mënyrë koston e lartë të shpenzimeve në shërbimet e kryera për tokën bujqësore, shërbime të cilat nuk justifikohen me fitimin e pritshëm nga produktet bujqësore që në të shumtën e rasteve nuk gjejnë treg dhe u ngelen stok pa u shitur.
Në kulturën e mbjelljes së grurit, ka një tendencë në rritjen e sipërfaqes së mbjellë nga fermeri shqiptar, kështu që sërish shpenzimet janë të mëdha. Ky vit, duke parë edhe çmimet e ulëta në tregun e shitjes, do të çojë në mbetjen e tij pa u shitur. Sipas vetë fermerëve, ata ndjehen të diskriminuar pasi mungojnë nga qeveria shqiptare politikat për orientimin e mbjelljes së kulturave bujqësore që kërkohen në treg. "Për këtë vit për sa i përket çmimit të shërbimeve për tokën bujqësore, janë rritur shumë. Ka filluar kjo rritje çmimesh që nga shtatori i vitit që shkoi. Arriti punimi i dynymit 12.000 lekë, 9.000 lekë freza dhe 6.000 lekë mbjellja. Plus 80.000 lekë kuintali i farës. Sivjet do të jenë këto shërbime me kosto më të lartë dhe çmimi i grurit më i ulët, 30.000 lek kuintali dhe nuk e merr më njeri. Ne e kemi grurin brenda në shtëpi pa u shitur. Ata që kanë mbjellë sipërfaqe më të mëdha do tu mbetet gruri stok nëpër magazine dhe nuk do të shitet me atë çmim që ka arritur tani dhe prapë do ta zërë gruri grurin dhe do të mbetet stok sërish", u shpreh Petrit Profka, një fermer i fshatit Seman. Megjithatë jo vetëm në kulturën e grurit, por edhe në produkte të tjera fermeri shqiptar në përgjithësi nguron të investojë se mallrat e tij do të mbeten stok dhe pa u shitur. Nisur nga ky fakt shumë prej fermerëve e mbajnë në përdorim tokën bujqësore vetëm për të siguruar nevojat e familjes së tyre.