Fier, vonesat e pagesave i çojnë invalidët në protesta
Edhe pse ministri i Punës, Spiro Ksera, pranoi në Korçë mungesën e fondeve për pagesat e personave me aftësi të kufizuara, para dhe tetraplegjikët e Qarkut të Fierit protestuan përpara prefekturës, gjatë paradites së djeshme, për të njëjtin shqetësim. Ndërsa deklarojnë se do t‘i përshkallëzojnë protestat e tyre, burimet zyrtare të shoqatës së invalidëve në Qarkun e Fierit tregojnë se vetëm në qytetin e Patosit nuk janë paguar për katër muaj mbi 1120 invalidë. "Asnjë nga autoritetet shtetërore nuk është përkujdesur për shtresën tonë. Ne sot vuajmë fatkeqësitë e jetës dhe tashmë nga duhet të mbijetojmë edhe nga fatkeqësitë që na shkakton pushteti", ka thënë një nga invalidët protestues. Ata kanë kërcënuar me përshkallëzim të formave të protestës nëse brenda pak ditësh qeveria nuk u jep pensionin që u takon. Ndërkohë, dje ministri Ksera ka bërë të ditur se pritet që përkrahjet sociale për këto kategori të jepen para festave të fundvitit. "Është e vërtetë që ka një vonesë në shpërndarjen e fondeve për personat me aftësi të kufizuara para dhe tetraplegjikët, por jemi drejt gjetjes së një zgjidhjeje të shpejtë. Ky problem do të mbyllet brenda një kohe të shkurtër dhe mendojmë se para festave të fundvitit këto kategori do të kenë në duar pagesat mujore", ka thënë ministri Spiro Ksera.
Ma.Tr./Ju.Dh.
Ma.Tr./Ju.Dh.