E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollat, në "sitë" për gripin e derrit

Javës që vjen pritet të rishqyrtohet çështja e mungesave të nxënësve në shkolla. Po ashtu pritet që me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, në këto institucione të dërgohen edhe mjekë infeksionistë, për të parë gjendjen shëndetësore të nxënësve, si dhe për të evidentuar shfaqjen e ndonjë rasti sporadik. Ky vendim ka ardhur si pasojë e situatës tejet alarmante që është shfaqur në vendet fqinje të rajonit, si Greqia e Maqedonia. Në këto dy shtete, situata ka qenë aq problematike, sa janë mbyllur një numër i konsiderueshëm shkollash. Ky vendim është marrë për të evituar përhapjen në masë të gripit të derrit dhe atij të zakonshëm. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe grupit të posaçëm të kontrollit të gripit, bëhet e ditur se numri i mungesave të deritanishme në shkolla arrin nga 10 në 15%, shifër kjo e pranueshme për situatën aktuale të përhapjes së gripit në vende të tjera të rajonit. Kjo ka qenë arsyeja pse vendimi i mbylljes së shkollave në Shqipëri është konsideruar nga Ministria e shëndetësisë si i parakohshëm. Ky dikaster dhe grupi i posaçëm kanë kohë që po punojnë për të pasur nën kontroll situatën në këto ambiente, ku probabiliteti për t‘u infektuar nga gripi është shumë më i lartë. Situata e para katër ditëve në shkolla është konsideruar e qetë për sa i përket shfaqjes së rasteve me grip. Shkak për këtë kanë qenë pesë ditët e pushimit me rastin e festës së Bajramit dhe të çlirimit të Shqipërisë. Këto ditë kanë ndihmuar jo vetëm në ngadalësimin e përhapjes së gripit në radhët e nxënësve, por edhe në forcimin e sistemit imunitar të tyre, duke ditur që kjo kategori konsiderohet në grupin e më të rrezikuarave ndaj infektimit me gripin e derrit apo atij të zakonshëm. Më shumë se për virusin AH1N1, autoritetet shëndetësore janë të shqetësuar për përhapjen e gripit të zakonshëm, si në shkolla, ashtu edhe në ambiente të tjera publike.

Gripi i zakonshëm
Viroza që ka prekur një pjesë të mirë të popullatës po përhapet me shpejtësi, ndërsa ka mbërritur që në fund të muajit tetor, para afateve të parashikuara. Nga java në javë, ISHP-ja ka raportuar se kemi shtim të rasteve të të prekurve nga viroza e stinës dhe të infeksioneve respiratore. E megjithatë, edhe pse faza "zyrtare" ka kohë që ka filluar në vendin tonë, burimet shëndetësore bëjnë me dije se piku i përhapjes së gripit të zakonshëm është muaji shkurt i vitit 2010. Të dhënat e departamentit të epidemiologjisë pranë ISHP-së kanë vërejtur se viroza shkakton temperaturë të lartë, komplikacione dhe ndryshon nga ajo e viteve të kaluara.

Shëndeti i zemrës
Shqipëria nënshkruan Kartën Europiane
Ministria e Shëndetësisë nënshkroi dje Kartën Europiane të Shëndetit të Zemrës, një dokument që synon të promovojë praktikat e parandalimit të sëmundjeve të zemrës në kontinentin tonë. Mbi 50 për qind e shqiptarëve vdesin si pasojë e sëmundjeve të zemrës, ndërkohë që 70 për qind e tyre nuk mbërrijnë në spital. Sëmundjet kardiovaskulare shkaktohen përgjithësisht te personat me shëndet të tepërt, që jetojnë kryesisht në vendet e pasura. "Karta është dokument i rëndësishëm, sfidë e kahershme në mënyrë të veçantë jo vetëm e Këshillit të Europës, por edhe e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pasi është punuar për vite të tëra për të unifikuar idetë dhe qëndrimet në të gjithë rajonin e Europës. Në këtë moment, karta duhet parë si një dokument për veprim", tha ministri i Shëndetësisë gjatë konferencës së kardiologjisë, të zhvilluar dje. Karta Europiane është një iniciativë e ndërmarrë në vitin 2004 nga Këshilli Europian, si një alternativë e mundshme për parandalimin dhe ofrimin e shërbimeve përkatëse për të sëmurët me zemër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›