E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga babait që hodhi të birin 2-vjeçar nga ura

Pas 16 orë kërkimesh prangoset 32-vjeçarin Eduard Gjoka, i cili tentoi të vrasë fëmijën e tij vetëm dy vjeç, duke e hedhur nga një urë në periferi të qytetit të Shkodrës. Ai u kap në fshatin Bardhaj, i fshehur te disa kushërinj të tij, ndërkohë që ishte shndërruar në një nga personat më të kërkuar nga policia jo vetëm për veprimin makabër që kreu, por dhe për rrezikshmërinë që paraqiste ky person nëse do të lëvizte i lirë. Sipas drejtuesve të policisë, fakti se ai ishte në kërkim të parave për të blerë drogë, përbënte një shtysë të rrezikshme për të krijuar situata të rënda. Ish-bashkëshortja e tij, nëna e fëmijës 2 vjeç që u hodh nga "Ura e Thive" prej dorës së të atit, ka treguar dje për mediat se kishte një vit që ishte ndarë me Eduardin. Por sipas saj, ndarja ligjore është arritur të bëhet vetëm para 7 muajsh. "Para katër muajsh unë jam martuar në Serbi dhe kam nisur një jetë të re. Gjithmonë kam pasur probleme me ish-bashkëshortin tim, sepse më trajtonte shumë keq. Vinte i pirë, madje tymoste dhe hashash, më rrihte gjatë gjithë kohës. Kam një vit që nuk kam pasur asnjë kontakt me të dhe që prej katër muajsh djalin e mbajnë prindërit e mi. Por tani do e marr me vete fëmijën tim, sepse kam frikë", rrëfen Mirela Ndocaj, nëna e 2-vjeçarit E.Gj., i cili tashmë ka dalë nga spitali dhe është marrë në kujdestari nga e ëma.

Ndërkohë, i pyetur në polici, Eduard Gjoka ka pranuar se është përdorues i drogave, ndërsa veprimin që ka kryer e ka justifikuar me dyshimet që kishte mbi atësinë e fëmijës. "Unë pi marijuanë dhe këtë e kam bërë nga kushtet e rënda psikologjike që kam kaluar pas ndarjes. Por ajo që më ka munduar gjatë gjithë kohës dhe që e kam mbajtur brenda, ka qenë fakti se nuk e dija nëse isha babai i fëmijës", ka thënë 32-vjeçari kur është marrë në pyetje.

Ndërkaq, mbi Eduard Gjokën rëndon akuza e "vrasjes me dashje të mbetur në tentativë". Për arrestimin e tij është angazhuar vetë drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër.

A.Hoti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›