E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, vonesat e tenderëve dogjën 20 për qind të buxhetit

Vonesat në procedurat e tenderimit kanë sjellë mosrealizim të investimeve në Qarkun e Fierit. Kjo është deklaruar gjatë analizës vjetore të Prefekturës së Fierit, ku prefekti Shahin Bejdaj tha se: "Mosrealizimi në total i investimeve të akorduara nga Buxheti i Shtetit ka ardhur si shkak i vonesave të procedurave për tenderimin e objekteve nga APP-ja, si dhe nga njësitë e qeverisjes vendore". Por me nivel të ulët realizimesh paraqiten dhe investimet nga të ardhurat vendore. Të ardhurat vendore dhe investimet nga to në të gjithë Qarkun e Fierit janë realizuar në masën 63 për qind. Sipas prefektit, "shkak i këtij mosrealizimi është mosvjelja në kohën e duhur e taksave dhe tarifave vendore, gjë që ka çuar në tenderimin jo në kohën e duhur, si dhe në mosrealizimin brenda vitit kalendarik të investimeve të planifikuara nga njësitë e qeverisjes vendore".

Sipas prefektit të Fierit, Shahin Bejdaj, konfirmohet se gjatë vitit 2008 ishin planifikuar të investoheshin në sektorë të ndryshëm rreth 599 milionë lekë, nga të cilat u investuan mbi 489 milionë ose rreth 81 për qind. Fieri si rreth i ka realizuar investimet në masën 87%, ndërsa rrethi i Mallakastrës paraqitet në masën 66 për qind. 31 rrugë, gjashtë ujësjellës, dhjetë objekte arsimore dhe gjashtë shëndetësore, si dhe modernizimi i gjendjeve civile janë disa nga sektorët më të rëndësishëm ku është ndërhyrë me investimet e qeverisë. Për infrastrukturën investimet janë realizuar në masën 88 për qind, në arsim-shëndetësi në masën 89 për qind dhe në ujësjellës në masën 69 për qind.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›