E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, e vlerësuar per partneritetin antikorrupsion

Gjatë vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha ka zhvilluar disa takime me kongresmenë dhe senatorë të njohur amerikanë. Kreu i qeverisë shqiptare ka zhvilluar një takim me kongresmenin e njohur amerikan, Eliot Engel, i cili ka garantuar për vazhdimësinë e bashkëpunimit të administratës së re "Obama" me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare. Zyra e shtypit të Kryeministrit ka bërë të ditur dje se në fillim të takimit, Kryeministri Berisha e ka njohur kongresmenin Engel me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, duke u ndalur tek arritjet e reformave qeveritare, si dhe çështjet e anëtarësimit në NATO dhe BE. Duke u ndalur te zgjedhjet parlamentare, Kryeministri Berisha ka bërë një ekspoze të gjerë të procesit konsensual të miratimit të kuadrit ligjor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, si dhe në veçanti në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Nga ana e tij, kongresmeni Eliot Engel ka vlerësuar shumë arritjet e qeverisë "Berisha" në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, modernizimit të administratës dhe veçanërisht rezultatet e këtyre reformave, si bazë për integrimin në NATO dhe BE. Ai falënderoi gjithashtu Kryeministrin Sali Berisha për partneritetin e shkëlqyer me SHBA-në në luftën kundër terrorizmit. Gjithashtu, po dje Kryeministri Berisha i shoqëruar edhe nga kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka marrë pjesë në darkën me senatorë dhe kongresmenë amerikanë. Po nga zyra e shtypit mësohet se gjatë kësaj darke një vend të veçantë i është kushtuar Shqipërisë dhe reformave qeveritare. Në bashkëbisedimin e tij me senatorë dhe kongresmenë, Kryeministri Berisha ka bërë një ekspoze të arritjeve të qeverisë së tij në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, reformave ekonomike, modernizimit të sistemit të shërbimeve, investimeve. Nga ana e tyre, senatorët dhe kongresmenët amerikanë kanë vlerësuar punën dhe reformat e qeverisë "Berisha", si dhe besimin për suksese të mëtejshme. Ata e kanë garantuar për një bashkëpunim të vazhdueshëm të SHBA-së me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare, si dhe domosdoshmërinë e thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›