E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Shfrytëzoni çdo rrugë për të drejtat tuaja

Mungesa e një zgjidhjeje për shtresën e ish të përndjekurve politikë nga qeveria i ka detyruar ata të trokasin në derën e Presidentit të Republikës me shpresë se zëri i tyre do të dëgjohet. Në Pallatin e Brigadave, Presidenti Topi ka pritur dje një përfaqësi të ish të përndjekurve politikë të Malësisë së Madhe, të cilët pak kohë më parë kishin depozituar në institucionin e Presidencës kërkesën e tyre. Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e ish të përndjekurve politikë i kanë parashtruar shqetësimet e tyre lidhur me trajtimin dhe me pengesat që ndeshin si shtresë shoqërore si për sa i përket dëmshpërblimit, shkollimit, punësimit, ashtu edhe me rehabilitimin dhe integrimin e tyre të plotë në shoqërinë bashkëkohore shqiptare, si dhe vlerësimin e merituar historik të kryengritjes antikomuniste të 23-25 janarit 1945 në Malësinë e Madhe. Shqetësime këto të cilat janë dëgjuar me vëmendje nga kreu i shtetit, i cili ka theksuar se zgjidhja e tyre është detyrim jo thjesht i institucionit, por është dhe detyrim moral. "Ju jeni një përfaqësi e nderuar e një zone të nderuar, me një shtresë që ka përballuar shumë sfida të hidhura të jetës, shumë vuajtje, por që është një shtresë që ka ditur me shumë fisnikëri të jetë mbështetëse e proceseve demokratike në Shqipëri. Patjetër që jeni tharmi i stimulimit të të gjitha proceseve pozitive, që duhet të ketë shoqëria jonë", është shprehur Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Duke mos pasur forcë të madhe ligjore për të zgjidhur më konkretisht shqetësimet e tyre, pasi Kushtetuta i ka të përcaktuara qartë kompetencat e Presidentit, kreu i shtetit u ka sugjeruar përfaqësuesve të ish të përndjekurve politikë që të shfrytëzojnë të gjitha rrugët edhe mundësitë institucionale e demokratike për të nxjerrë në pah problemet e tyre dhe për t‘i zgjidhur ato. Gjithashtu, Presidenti ka theksuar se e rëndësishme është edhe mbrojtja dhe evidentimi i vlerave të vërteta historike dhe morale, të ruajtjes së harmonisë shoqërore, si dhe nevojën për vlerësim dhe integrimin e kësaj shtrese aq shumë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Kreu i shtetit gjatë këtij takimi i ka siguruar përfaqësuesit e ish të përndjekurve nga Malësia e Madhe se do të vazhdojë të ndjekë me mjaft vëmendje shqetësimet e tyre dhe se do t‘i mbështesë gjithmonë institucionalisht në cilësinë e Presidentit të Republikës, duke ushtruar të gjitha kompetencat që i jep Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Kjo është e disata herë që Presidenti i Republikës pret në zyrën e tij përfaqësues të shoqatave të ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë, të cilët prej më se 18 vjetësh kërkojnë një zgjidhje konkrete dhe jo vetëm premtime elektorale për hallet e tyre. Deri më tani nuk është bërë asgjë konkrete nga qeveria, e cila projektligjin për dëmshpërblimin e kësaj shtrese e zvarrit nga njëri sesion parlamentar në tjetrin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›