Biberaj: PD të reflektojë ndaj kritikave të ndërkombëtarëve
Megjithëse prej pak ditësh ligji i "Dosjeve" ka hyrë në fuqi, zërat kundër tij sa vijnë dhe shtohen. Këtë herë, jo vetëm nga opozita, por edhe nga deputetët brenda grupit të PD-së. Deputeti Aleksandër Biberaj, në një prononcim për shtyp, ka theksuar se mazhoranca duhet të reflektojë ndaj këtij ligji, duke koordinuar qëndrimin e tyre me ato të faktorit ndërkombëtarë. Sipas tij, ka hapësirë për të biseduar me aleatët tonë strategjikë, SHBA-në, Britaninë e Madhe, si dhe Bashkimin Evropian, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e pranueshme, konform standardeve ndërkombëtare. Deputeti i PD-së ka kujtuar kontributin e SHBA-së, Anglisë dhe të Evropës Perëndimore për rrëzimin e komunizmit në Evropën Juglindore dhe në Shqipëri. Ai ka sjellë në vëmendje edhe kontributin dhe përkrahjen e këtyre vendeve për ecurinë e reformave në vend, si dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe integrimin në BE. Ai ka theksuar se ligji i "Dosjeve" është një ligj shumë i rëndësishëm, që synon pastrimin e politikës shqiptare, të sistemit të drejtësisë, të administratës publike, por edhe të shoqërisë shqiptare nga e kaluara e errët e sistemit komunist. "Ndonëse jemi vendi i fundit në Evropën Juglindore që aplikojmë këtë ligj, zbatimi i tij është i rëndësishëm", theksoi deputeti i PD-së. Pavarësisht qëndrimeve të politikës brenda vendit dhe të faktorit ndërkombëtar, mazhoranca nuk është tërhequr nga qëndrimi i saj, duke miratuar dhe kërkuar zbatimin e ligjit. Për ta realizuar këtë, deputetët e PD-së në sinkron me njëri-tjetrin, kanë deklaruar vazhdimisht se ligji për "Dosjet" është i domosdoshëm dhe Kuvendit i është paraqitur në formën më të mirë. Por politika, për të bindur faktorin ndërkombëtar se ligji është në formën më të mirë, duket se ka dështuar për demokratët dhe sulmin e parë për moskryerjen si duhet të kësaj pune duket se e mori deputeti Biberaj. Nga burime brenda grupit parlamentar të PD-së u bë e ditur se një nga shkaqet që Biberaj u hoq nga delegacioni i KE-së ishte fakti se ai nuk ka punuar aq sa duhet për të bindur KE-në se ligji i "Dosjeve" i miratuar nga Kuvendi është një ligj i mirë. Ligji është kundërshtuar shumë nga forcat politike në vend, por edhe nga faktori ndërkombëtar, i cili herë pas here i ka kujtuar mazhorancës qeverisëse se ligji i miratuar për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë nuk është në formën e tij më të mirë. Ndaj, nëpërmjet ambasadorëve të tyre në Tiranë, ata i kanë kërkuar qeverisë që ta rishikojnë atë.