Topalli organizon takim ndërparlamentar për Korridorin 8
Me iniciativën e Kuvendit sot në Tiranë do të organizohet për herë të parë një takim ndërparlamentar mes Komisioneve të Transportit të Shqipërisë, Italisë, Maqedonisë, Bullgarisë dhe Komisionit Evropian për Projektin e Korridorit të 8-të. Zyra e shtypit të Kuvendit bën të ditur që synimi i këtij takimi është dhënia e mbështetjes së nevojshme qeverive të vendeve përkatëse për përshpejtimin e realizimit të projektit të Korridorit të 8-të Panevropian të Transporteve. Aktiviteti zhvillohet në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, në Sallën e Byrosë Parlamentare, nga ora 09:30 deri në orën 14:30. Në këtë takim do të mbajë fjalën e saj Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjithashtu, të ftuar do të jenë edhe ministri i Transportit, Sokol Olldashi, dhe ambasadorët e Bullgarisë, Maqedonisë dhe Italisë të akredituar në Tiranë. Në takim do të flasë edhe nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht kryetar i komisionit për veprimtaritë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin, Ylli Bufi.