Ambasadori danez: Dosjet? Gabimet nuk kurohen me gabime
Faktori ndërkombëtar shton presionin ndaj mazhorancës për të riparë "Ligjin e Lustracionit". Një ditë pas prononcimit të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë vjen prononcimi i kreut të diplomacisë daneze në vendin tonë. Ambasadori i Danimarkës, Karsten Jensen, i ftuar në emisionin "Wake up" në "Top Channel", u pozicionua dje publikisht kundër "Ligjit të Lustracionit", prej të cilit qeveria e Kryeministrit Berisha nuk është distancuar për asnjë moment. Pas deklaratës zyrtare të Presidencës së Bashkimit Evropian dhe ankimimit në Gjykatën Kushtetuese për të shpallur të pavlefshëm "Ligjin e Lustracionit", ambasadori ka thelluar kundërshtinë e faktorit ndërkombëtar ndaj ligjit. "Mendoj se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur. Por, fatkeqësisht, së fundmi, kemi parë, atë që do ta quaja, hap prapa, para së gjithash me ‘Ligjin e Lustracionit‘. Çdokush në komunitetin ndërkombëtar e kupton se është e nevojshme një ndarje me të kaluarën. Kjo është një gjë shumë e mirë. Por një gabim, nuk mund të kurohet duke bërë një gabim tjetër", theksoi Jensen. Në vlerësimin e ambasadorit të Danimarkës në Tiranë, ky nuk është problemi i vetëm i "Ligjit të Lustracionit", zbatimi i të cilit kështu siç është, do të pengojë integrimin evropian. "Sipas nesh, ligji nuk përmbush standardet ndërkombëtare dhe sipas ekspertëve tanë, disa nene të ligjit nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit", insistoi Jensen. "Dhe sigurisht, nëse ju nuk arrini standardet ndërkombëtare, ju nuk mund të bëheni një anëtar i Bashkimit Evropian. Anëtarët e komunitetit ndërkombëtar kanë bërë paralajmërime për këtë, duke shpresuar që ligji do të përmbushë standardet, por fatkeqësisht, të paktën deri tani, nuk ka asnjë ndryshim. Unë këtë e shikoj si një hap prapa", vlerësoi ambasadori danez. Zyrtarët e Këshillit të Evropës kanë evidentuar qartë disa probleme në lidhje me standardet. Këto përfshijnë: shtrirjen tepër të gjerë të ligjit, për sa i përket kategorive të zyrtarëve, që mund të preken dhe fakti që ligji përfshin persona që aktualisht janë në detyrë; paanësinë dhe proporcionalitetin e procedimeve të lustracionit; rreptësinë e sanksioneve të parashikuara dhe fakti që nuk ka një limit kohor. Në deklaratë thuhej se vërehen disa mospërputhje të rëndësishme në lidhje me Rezolutën mbi masat për heqjen e trashëgimisë së ish-sistemeve komuniste totalitare, të miratuara nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në vitin 1996. Asambleja ka bërë të qartë që çdo masë individuale lustracioni nuk duhet të tejkalojë shumë vjet, që procesi i lustracionit duhet të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 1999 dhe që lustracioni nuk duhet të aplikohet mbi kandidatët në zgjedhje. Asnjë prej këtyre udhëzimeve nuk është marrë në konsideratë nga ligji shqiptar i lustracionit. Këshilli i Evropës ka shprehur sakaq gatishmërinë t‘u ofrojë autoriteteve shqiptare këshillim dhe asistencë në gjetjen e mënyrave për të arritur objektivin legjitim të trajtimit të së kaluarës, në përputhje të plotë me standardet e Këshillit të Evropës. Pavarësisht këtyre deklarimeve, qeveria dhe mazhoranca nuk kanë shfaqur shenja reflektimi teksa opozita ka nisur procedurat kushtetuese për kontestimin e nismës ligjore.