E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firma e drejtorëve për makinat "bllokojnë" operacionet speciale

Kritika të ashpra bëri drejtori i përgjithshëm i policisë për hetimin e krimeve pak ditë më parë, kur mori pjesë në analizën e Policisë së Tiranës, e sidomos për antidrogën, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qarqet e tjera. Por askush nuk guxoi t‘i vinte në dukje kushtet me të cilat punojnë strukturat e hetimit të krimeve, duke nisur nga ai i organizuar e deri tek ai kundër personit. Një ndër këto kushte dhe veçanërisht ai më i domosdoshmi, sidomos për operacionet speciale, është pajisja me mjete lëvizëse për grupet e punës. Aktualisht gjithçka është gati e bllokuar pas një urdhri të brendshëm.

Procedura
Sipas specialistëve, ky problem ka pak kohë që është shfaqur. Për të marrë një makinë në dispozicion për të hetuar një krim apo kontaktuar burimin, duhet të merret domosdoshmërit firma e drejtorit përkatës, përndryshe agjentët apo shefat e tyre, duhet të lëvizin me mjetet private, nëse kanë. Burimet policore shpjegojnë se problemi është shfaqur kryesisht në strukturat e krimit të organizuar, e sidomos për operacionet speciale. Siç dihet, oficerëve të këtyre strukturave u duhen me ditë dhe net të tëra për të rënë në gjurmët e të inkriminuarve e më pas të zbulojnë edhe prova kundër tyre, ose t‘i arrestojnë në flagrancë. Por, krimi ka përparuar shumë dhe sidomos pjesa që merret, me trafik droge, femrash, apo edhe vepra të tjera penale të rënda, lëviz me mjete nga më luksozet dhe më të shpejtat. Ndërsa policia, për t‘i ndjekur, duhet të marrë leje për përdorim mjeti nga drejtori i përgjithshëm i policisë. Oficerët e strukturave speciale të hetimit të krimit duhet të bëjnë një shkresë, ku të kërkojnë përdorim mjeti dhe të tregojnë edhe motivin sepse e duan dhe ku do shkojnë. Më pas duhet të presin derisa kërkesa e tyre të miratohet dhe vetëm në atë moment mund të nisin të operojnë. Por kjo, veç vonesave që shkaktohen, duke shtyrë edhe hetimet në afate më të gjata, sjell edhe një problem tjetër.

Problemet
Siç dihet, punonjësit e departamentit të hetimit të krimit duhet të ruajnë sekretin dhe shpeshherë nuk mund të raportojnë (kushdo qoftë ai) se çfarë po hetojnë apo kë po gjurmojnë, veç eprorit që kanë direkt. Në këto kushte, ata detyrohen që të mos bëjnë kërkesa, duke shmangur procedurat burokratike dhe përdorin mjetet e tyre personale. Por, edhe në këtë rast nuk dëmshpërblehen për shpenzimet, pa llogaritur edhe orët jashtë orarit, që nuk u jepen, pasi krimi nuk ka orar dhe punonjësi special i policisë duhet të jetë gjithmonë në gjurmim të tij. Specialistët e policisë, të cilët kanë kryer me dhjetëra operacione, shprehen të revoltuar nga këto urdhra, që kanë dalë për procedurat e përdorimit të një makine në shërbim, ndërkohë që nga ana tjetër shumë makina policie përdoren për probleme personale të drejtorëve apo shefave të tyre. Ata shtojnë se mos të kishte asnjë shqetësim tjetër, ky problem sjell shumë pengesa në punën e hetimeve, ndërkohë që kreu i policisë, kërkon rritje të performancës. Madje, drejtori i përgjithshëm i policisë kritikoi se ka rënë lufta kundër krimit të organizuar dhe sidomos ajo kundër drogës. Sipas tij, nuk është e mundur që të zhduket trafiku i drogës, pasi derisa ka shpërndarje lëndësh narkotike ka edhe trafik të saj. Ndërsa ministri i Brendshëm, i cili është në dijeni se ka mungesë të theksuar të mjeteve për Policinë e Shtetit, ka deklaruar se në muajt e parë të vitit 2010, ky problem do të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›