Rama nxjerr FRESSH kundër Metës
Të rinjtë socialistë reagojnë përmes një proteste te dera e Ministrisë së Jashtme, pas vendimit që e la sërish Shqipërinë jashtë qarkullimit të lirë në Europë. Përfaqësuesja e të rinjve, Eliosa Spiropali, së bashku me të rinj të tjerë të kësaj partie, e konsideroi të papranueshme deklaratën e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, dikur drejtues i këtij Forumi, se Shqipëria nuk është përfshirë në liberalizimin e vizave sepse është vendi i fundit. Të rinjtë eurosocialistë kanë shprehur përmes këtij tubimi indinjatën e tyre për deklaratat aspak dinjitoze dhe absurde të ministrit të Jashtëm, Meta. Me moton "I fundit je ti, jo Shqipëria", të rinjtë eurosocialistë kanë shprehur revoltën e tyre. Elisa Spiropali tha se është kjo qeveri, pjesë e së cilës është edhe Meta, që e ka çuar Shqipërinë të fundit. "Kjo kuti e madhe e mbyllur dhe e vjedhur pranë së cilës jemi mbledhur, është Ministria jonë e Jashtme e dallavereve të brendshme. Nga kjo kuti e mbyllur dhe e heshtur para disa ditësh doli një zë. Ky zë i shpëlarë na tha se ne shqiptarët nuk mund të lëvizim lirisht në Europë për një arsye absurde: sepse jemi të fundit. Zoti ministër i Jashtëm! Nuk jemi të fundit ne. I fundit je ti, që i konsideron të gjithë shqiptarët të fundit për të vetmen arsye sepse je i paaftë. Nuk jemi të fundit ne. I fundit është zhgani yt, që nuk hap kutitë ku fshihet e vërteta e popullit", tha Spiropali. Sipas saj, korrupsioni i ministrave të kësaj qeverie ishte vendimtar për ta përjashtuar Shqipërinë nga liberalizimi i vizave.
"Nuk jemi të fundit ne. Të fundit janë ministrat e qeverisë, ku paturpësisht bën pjesë ti, ata ministra që ministra mbetën edhe pasi shpërthyen Gërdeca dhe vodhën miliona", tha ajo.
Ndër të tjera, të rinjtë socialistë vërejtën se institucioni ka dështuar në fushën e diplomacisë. "Nuk jemi të fundit ne. E fundit është administrata jote e kësaj ministrie që nuk e kemi dëgjuar kurrë të japi ndonjë zgjidhje inteligjente apo të tregojë ndonjë shkathtësi diplomatike në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nuk jemi të fundit ne. E fundit është drejtësia jote që shtrembëron edhe ligjet më të qarta. Nuk jemi të fundit ne. Më i fundit dhe më i prapambeturi ndër të gjithë ne je ti me aleancat e tua të dallavereve dhe qeverinë tënde të korruptuar. Zoti ministër i jashtëm, Ne nuk jemi të fundit. Ne meritojmë të lëvizim të lirë si një popull evropian. Të fundit jeni të gjithë ju!", vijoi përfaqësuesja e PS.