E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet rinovimi i Xhamisë së Ethem beut dhe sheshit “Skënderbej”

Qendra e kryeqytetit, jepen miliona euro për projektin e Bashkisë. Xhamia historike do të marrë një pamje luksi, tërheqëse për turistët

Erald Kapri

Qendra e kryeqytetit shqiptar do të ketë brenda një viti një pamje krejt tjetër, që lehtësisht mund të krahasohet me një qytet europian. Qeveria e Kuvajtit dhuroi një fond prej 5 milionë eurosh me qëllim ndryshimin e pamjes së qendrës së kryeqytetit, por me kusht që të rinovohej edhe Xhamia e Ethem beut. Qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës e pranuan pa mëdyshje këtë ofertë nga kuvajtianët. Brenda pak javësh Bashkia e Tiranës miratoi edhe një projekt për rinovimin e sheshit “Skënderbej” dhe të xhamisë në qendrës të qytetit, ndërsa qeveria ditën e djeshme miratoi marrëveshjen për dhënien e fondit nga Kuvajti. Sipas projektit, në vitin 2009 qendra e Tiranës do të marrë pamjen e një piramide gjigante, ndërsa xhamia historike e Tiranës do të ketë një imazh krejt tjetër, çka mendohet se do të tërheqë turistë, duke e kthyer Tiranën në një kryeqytet me një histori me vlera të veçanta.
Marrëveshja
Kryeministri Sali Berisha bëri publike ditën e djeshme nënshkrimin e marrëveshjes me Kuvajtin për përfitimin e 5 milionë eurove për qendrën e Tiranës. Berisha u shpreh se krahas vlerave të këtij projekti, vlen të theksohet edhe bashkëpunimi qeveri-Bashkia e Tiranës për arritjen e mirëkuptimit. “Ky është një shembull jo vetëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, por edhe i bashkëpunimit me qeverisjen vendore. Ne nuk na pengon dallimi partiak për të pasur një partneritet me pushtetit vendor”, - u shpreh Berisha. Kryeministri foli edhe për problemet e kryeqytetit shqiptar, siç është ndërtimi i Unazës dhe për këtë kërkoi nga Ministria e Financave që të përshpejtohet puna me shpronësimet. “Ministria e Financave të bëjë realitet shpronësimin e Unazës së Vogël të Tiranës. Bashkia ka fondet e saj dhe ne do të ndihmojmë, sepse nuk mund të injorojmë faktin që kryeqyteti ka probleme serioze të trafikut dhe çdo përpjekje për të zgjidhur problemet e trafikut do të ndihmohet nga qeveria”, - tha kryeministri. Ai e konsideroi Unazën e Vogël të kryeqytetit si një arterie shumë të rëndësishme që çliron trafikun në qendër të qytetit, ku dendësia e pluhurit dhe gazit karbonik është më e madhe se në çdo zonë tjetër në Shqipëri.
Projekti
Sipas projektit të miratuar, sheshi “Skënderbej” mund ta ndryshojë fytyrën e tij totalisht. Prezenca e ujit përkohësisht mund të aktivizojë njërin nga skajet ose mund të fokusohet në vetë sheshin. Parë nga skajet, pjesë të sheshit papritur mund të mbushen me fragmente refleksesh të ndërtesës dhe qiellit. Ky mekanizëm krijon një konstelacion gjithmonë në ndryshim gropash, pellgjesh dhe njollash reflektuese. Pamja e sheshit lidhet me rrethanat dhe ngjarjet, me motin apo stinët. Nga kjo pikë, prania e ndërtesave të vijës së parë zotërohet nga rreshtat e kullave dhe silueta e malit të Dajtit, të dyja së bashku bëjnë një mbyllje dramatike, që kontraston hapjen e sheshit. I pajisur me një seri tiparesh ujore, sheshi mund të mbushet ose të thahet.

Historia e Tiranës, që nisi me ndërtimin e Xhamisë së Ethem beut

Tirana filloi të zhvillohet që në fillim të shekullit të gjashtëmbëdhjetë me disa punishte artizanati të përpunimit të mëndafshit, pambukut, lëkurës, qeramikës të metaleve etj. Lagjja e parë e Tiranës është Bami dhe më vonë Lagjja e Mujos. Xhamia e Ethem beut, e ndërtuar në vitin 1789, është edhe sot në qendër të Tiranës, pranë Kullës së Sahatit, 35 metra e lartë, ndërtuar në vitin 1830. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, një nga familjet më të mëdha e autoktone të Tiranës ka qenë ajo e Toptanasve. Gjatë Rilindjes Tirana ka qenë qendër e rëndësishme patriotike. Këtu përqendroi punën e saj shoqëria "Bashkimi". Më 26 nëntor 1912, tiranasit, në përputhje me Ismail Qemalin, ngritën flamurin shqiptar. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, Dibra ishte pushtuar nga ushtria serbe. Një numër i madh i popullsisë u largua me forcë nga ushtria serbe në vitet 1913-1915 dhe 1918-1920. Të dëbuarit gjetën strehë në Tiranë.

15 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›